Kualifikueset Katar 2022/ Brazili nuk njeh limite, Argjentina luan “tango” me dyshen Lautaro-J.Correa

04/09/2021 00:56

7 nga 7 Brazili nuk njeh limite në kualifikueset e Kupës Botës Katar 2022 në zonën e Amerikës së Jugut duke hipotekuar ende pa mbaruar faza e parë kualifikimin në Botërorin aziatik. As Kili nuk arriti të prishte ecurinë perfekte të Neymar me shokë që regjistruan fitoren 7 rresht dhe të 7-ën në po aq takime.

Në Estadio Monumental David Arellano në kryeqytetin e Kilit Santiago, Seleçao triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në një ndeshje ku La Roja e ndjeu shumë mungesën e liderit të sulmit Alexis Sanchez. Goli i fitores për Brazilin u realizua në minutën e 64-t nga mesfushori i Flamengos Everton Ribeiro. Pas një trekëndëshi mes Danilos, Everton Ribeiro dhe Neymar, mesfushori i Flamengos u gjend në kohën dhe në vendin e duhur për të shtyrë topin drejt rrjetës pas pritjes që bëri Claudio ndaj goditjes së O’Ney.

Pas kësaj fitoreje avantazhi i Brazilit ndaj Argjentinës së vendit të dytë mbeti i pandryshuar në 6 pikë ndërkohë që diferenca me vendin e 5-të që nuk kualifikohet direkt në Katar 2022 por shkon në play-off u thellua në plot 12 pikë. Nuk fali as Argjentina që vallëzoi një tango të bukur në transfertën ndaj Venezuelës falë dy sulmuesve të Interit Lautaro Martinez dhe Joaquin Correa ndërkohë që kompletoi fitoren me shifrat 1-3 një tjetër Correa, Angel i Atleticos së Madridit. Pjesa e parë nuk prodhoi shumë edhe pse gjërat u bënë më të thjeshta për La Selecion në minutën e 32-të kur me ndërhyrjen e VAR, Adrian Martinez i Venezuelës u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Lionel Messit që rrezikoi t’i shkaktonte një dëmtim të rëndë numrit 10 i cili ia hodhi paq.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 2-të shtesë të pjesës së parë nga Lautaro Martinez që shfrytëzoi maksimalisht asistin e Lo Celsos. Në gjysmë-orëshin e fundit të lojës Scaloni hodhi në fushë dy Correa-t që ka në skuadër të cilët ia shpërblyen besimin. Në të 71-ën Joaquin Correa përmbylli një aksion spektakolar të kombëtares albiceleste-s me një goditje të bukur nga limitet e zonës duke treguar se mund të funksionojë në perfeksion me Lautaron pasi asisti ishte i shokut të skuadrës te Interi. 3 minuta më vonë shënoi dhe Angel Correa duke vulosur fitoren e miqëve, ndërkohë që Venezuela golin e nderit e realizoi vetëm në minutën e 94-t me Soltedon me penallti. Në ndeshjet e tjera të raundit të 7-të, Uruguai pa dyshen Cavani-Suarez në sulm nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Perusë me De Arrascaeta që iu kundërpërgjigj golit të Tapias në pjesën e parë. Ngeci edhe Kolumbia në transfertën ndaj Bolivisë në një tjetër barazim 1-1 ndërkohë që Ekuadori mposhti me dy gola në fund me shifrat 2-0 Paraguain.

Top Channel