Më në fund erdhi edhe fitorja e parë ndonjëherë në ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror.

Pa dy humbjeve të para ndaj Suedisë dhe Spanjës, përfaqësuesja e Kosovës arriti fitore në udhëtim përballë Gjeorgjisë me rezultat 0-1, me një autogol të shënuar nga mbrojtësi Davit Khocholava, por i nxitur nga sulmuesi Vedat Muriqi.

Ishte fitore plotësisht e merituar dhe me pak fat apo qetësi para portës kundërshtare, ndeshja do të ishte mbyllur më herët dhe rezultati do të ishte edhe më bindës.

Ajo që u pa në këtë 90-minutësh e që kishte munguar në ndeshjet e kaluara, pa marrë shembullin me dy përfaqësueseve super të forta si Suedia dhe Spanja, ishte angazhimi, grinta dhe dëshira për të fituar, e kjo u vërejt që nga minuta e parë.

Përkundër mungesave të mëdha si Zeneli, Rashica, Zhegrova apo Celina, duke shtuar këtu edhe emrat tjerë të titullarëve nga e kaluara (Shala, Kryeziu, Bernard Berisha, Kololli dhe Paqarada), Kosova u prezantua në mënyrë të shkëlqyeshme në Gjeorgji, për të mos thënë edhe më mirë sesa parashikimet, duke u bazuar në formën jo të mirë kohëve të fundit në ndeshjet kualifikuese.

Vija e fundit me Rrahmanin dhe Alitin në krye ishte shumë e mirë dhe e qëndrueshme, duke mos lejuar kundërshtarët tanë të krijonin asnjë mundësi të mirë shënimi, ndërsa krahët ishin pjesa më e fortë në këtë ndeshje. Hadërgjonaj dhe Vojvoda gjatë tërë kohës u ndihmuan nga Kastrati dhe Rashani, që neutralizuan çdo përpjekje të vendasve nga krahët e aq më pak të harkojnë drejt zonës, dhe kjo mënyrë e lojës dhe vrapimi i madh edhe në repartin defanziv, e bëri Kosovën të dallonte shumë nga ndeshjet e kaluara.

Përveç tyre, notë shumë të lartë ka marrë Dresevic, i cili, edhe pse luajti para mbrojtjes në një rol më ndryshe se ai natyral i tij, ka qenë një urë lidhëse e mbrojtjes me mesfushën, dhe njëkohësisht u kuptua shumë mirë me dy qendërmbrojtësit, andaj nuk ndodhi asnjë gabim i vetëm.

Valon Berisha ishte mjaft i mirë dhe luajti me zemër, duke vrapuar në çdo cep të fushës, duke e furnizuar me topa sulmuesin e rrezikshëm, Vedat Muriqi, i cili edhe nëse nuk shënoi, ishte pjesë e golit të fitores, duke detyruar në njëfarë mënyre kundërshtarin të shënonte në portën e vet.

Ky test aspak i lehtë kaloi me sukses, Kosova mori tri pikët e para në grup, dhe tash po punon dhe mendon për kundërshtarin e radhës, Greqinë, që e presim në stadiumin “Fadil Vokrri”, me 5 shtator.

“Bisogna cambiare mentalità”, kishte thënë trajneri Bernard Challandes para ndeshjes ndaj Gjeorgjisë, duke u bazuar në fjalët e Roberto Mancinit, dhe duket se mentaliteti i Kosovës ka ndryshuar, së paku pas asaj që u pa të enjten mbrëma në Batumi Arena.

A do të jetë një Kosovë edhe më e fortë dhe bindëse ndaj Greqisë, me mentalitet të tillë dhe me kthimin e disa lojtarëve që munguan ndaj Gjeorgjisë, kjo do të shihet të dielën, në Prishtinë.

Top Channel