Portieri kamerunas Andre Onana duket i vendosur të largohet nga Ajaxi dhe këtë e pranon Drejtori Sportiv i skuadrës nga Amsterdami, Mark Overmars, i cili deklaron se 25-vjeçari ka refuzuar të gjithë ofertat për rinovimin e kontratës.

“kemi provuar tre herë t’i rinovojmë kontratën, por ai ka refuzuar, ndaj negociatat janë ndërprerë. Onana ka kontratë me ne deri në verën e ardhshme dhe mund të largohet në janar kundrejt një oferte të pranueshme, por edhe në qershor me parametra zero. Ne ishim të hapur ta shesim që këtë verë, por nuk erdhi asnjë ofertë”, deklaroi Overmars.

Gardiani kamerunas u pezullua në shkurt të këtij viti me 9 muaj për doping, pasi në analizat e gjakut u konstatua prania e Furosemidit, një substancë e ndaluar, që sipas drejtuesve të Ajaxit, Onana e mori gabimisht duke ngatërruar ilaçet e tij me ato të bashkëshortes.

Onana mund të rikthehet në fushë në muajin dhjetor dhe këtë do ta bëjë vetëm me Young Ajax, pasi në skuadrën e parë nuk kanë ndërmend ta aktivizojnë, duke qenë se futbollisti ka refuzuar rinovimin e kontratës.

Për portierin 25-vjeçar, që numëron 204 ndeshje me Ajaxin dhe 18 me Kamerunin, kanë shfaqur interes shumë klube, të cilat janë gati ta marrin me parametra zero në fund të këtij sezoni.

Top Channel