Louis Van Gaal shijon fitoren e parë në epokën e tij të tretë në pankinën e Holandës, me këtë të fundit që ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Malit të Zi në sfidën e zhvilluar në “Philips Stadium” të Eindhovenit.

Ashtu si tri ditë më parë në transfertën ndaj Norvegjisë, edhe sot “tulipanët” morën shpejt zotërimin e topit, të cilin e qarkullonin dendur, ndonëse nuk ishte e lehtë të çanin mbrojtjen e ngjeshur malazeze. Sfida u zhbllokua në minutën e 38’, kur Memphis Depay fitoi një penallti, të cilën e shndërroi vetë në gol, ndërsa në minutën e 62-të, sulmuesi i Barcelonës gjeti edhe golin e dytë personal, por edhe të Holandës.

Georgino Wijnaldum, që luante me shiritin e kapitenit në krah, shënoi golin e tretë për “tulipanët”, para se sulmuesi i talentuar i PSV-së, Gakpo të dërgonte topin në rrjetë për herë të katërt me një goditje mjaft të bukur nga distanca.

Po në Grupin G, Turqia ia doli të marrë tre pikët, falë fitores 0-2 në transfertën ndaj Gjibraltarit. Tekniku Senol Gunes kishte lënë në pankinë shumë prej titullarëve dhe u detyrua t’i hedhë në fushë pas një pjese të parë pa gola, teksa pikërisht Dervisoglu, Calhanoglu e Karaman shënuan golat me vlerë tre pikëshe.

Llogaritë në këtë grup janë plotësisht të hapura, pasi Turqia kryeson me 11 pikë dhe ndiqet nga Holanda e Norvegjia me nga 10 pikë secila, ndërsa të martën e 7 shtatorit” tulipanët” do të presin pikërisht turqit kryesues në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit. Mjaft interesante janë llogaritë edhe në grupin H, ku Kroacia fitoi me rezultatin minimal 0-1 në sfidën direkte ndaj Sllovakisë dhe iu bashkëngjit Rusisë në krye me 10 pikë. një gol i mesfushorit të Interit, Marselo Brozovic vendosi sfidën në Bratislavë, ndërsa vendasit mbeten shumë mbrapa në betejën për një vend në Katar 2022.

Bën detyrën Danimarka në Grupin F, që triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Ishujve Faroe dhe tashmë kryeson me 15 pikë të plota, duke prekur kualifikimin për në Kupën e Botës Katar 2022. Po në këtë grup, Izraeli triumfoi me rezultatin 5-2 ndaj Austrisë dhe nxori këta të fundit nga gara për një vend në Botëror, teksa vetë do të duelojnë deri në fund me Skocinë për vendin e dytë, duke qenë se britanikët fituan 1-0 ndaj Moldavisë dhe u ngjitën në kuotën e 8 pikëve.

Në grupin D zhgënjen sërish Franca, që pas barazimit 1-1 ndaj Bosnjës & Hercegovinës tri ditë më parë në Strasbourg, përsëriti të njëjtin rezultat edhe në transfertën ndaj Ukrainës. Këta të fundit gjetën avantazhin me Shaparenkon në minutën e 44-t, por menjëherë pas startit të pjesës së dytë, ishte Martial që riktheu baraspeshën dhe u dha një pikë “gjelave”.

Franca kryeson me 9 pikë pas 5 ndeshjeve të para dhe e vetmja që i kërcënon vendin e parë në grup është Finlanda, me të cilën do të matë forcat të martën në mbrëmje në Paris.

Top Channel