Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë të enjten se angazhimi i Shteteve të Bashkuara me sundimtarët talebanë të Afganistanit kishte hyrë në një fazë të re të pasigurt, ndërkohë që zyrtarët amerikanë vazhdojnë punën për të evakuuar rreth 100 amerikanë që ndodhen ende në këtë vend.
Ndërkohë, zyrtarët talebanë sinjalizuan se qeveria e tyre e re po forconte lidhjet me Kinën dhe vende të tjera.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se SHBA nuk kontrollon më hapësirën ajrore mbi Afganistan. Deri tani, tha ajo, 31,107 vetë janë sjellë në SHBA, nga totali prej më shumë se 120,000 të evakuuarish në atë që zyrtarët e administratës e kanë përshkruar si evakuimi më i madh ajror në histori.
Po të enjten, një zëdhënës i talebanëve bëri të ditur me një postim në Twitter, se një zyrtar i lartë taleban kishte biseduar me një zyrtar të lartë kinez.
“Zëvendësministri i Jashtëm kinez tha se Pekini do të mbante ambasadën e tij në Kabul, duke shtuar se marrëdhëniet tona do të forcoheshin në krahasim me të kaluarën,” shkruante Suhail Shaheen, një zëdhënës i talebanëve që komenton në gjuhën angleze.
Nuk ka pasur ende konfirmim nga Pekini, raportoi agjencia e lajmeve Agence France-Presse.
Zyrtarë të tjerë talebanë thanë në komente në Twitter se ata po zhvillonin diskutime diplomatike me Britaninë dhe Gjermaninë. Katari dhe Turqia po ndihmojnë gjithashtu qeverinë e re afgane për të normalizuar operacionet në aeroportin kryesor, në Kabul.
Zëdhënësja Psaki tha se SHBA tani për tani po ndjek zhvillimet dhe pret për të identifikuar format e angazhimit me qeverinë e re, të pazgjedhur të Afganistanit. Ajo theksoi se SHBA ka forma presioni jo-ushtarak ndaj qeverisë së re, si qasja në tregjet globale dhe në ndihmat financiare.
“Askush në qeverinë amerikane, askush – as presidenti, as sekretari i mbrojtjes apo agjencitë e zbulimit – nuk kanë thënë se talebanët janë aktorë të mirë,” tha ajo. “Nuk po themi një gjë të tillë. Prandaj flasim kaq qartë kur diskutojmë shkaqet që po tregohemi të matur dhe nuk po nxitojmë t’i njohim talebanët si autoritet qeverisës, sepse duam të shohim ç’po ndodh”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se trupi diplomatik gjithashtu do të tregohej i matur në lëvrimin e ndihmave për qeverinë e re.
“Po analizohet ndihma jonë për qeverinë afgane. Në Afganistan ende nuk është formuar një qeveri e re. Pra, së pari, do të na duhet të shohim se si po formohet qeveria. Ky është thjesht një element teknik. … Ajo që ka edhe më rëndësi ndër temat që ju përmendët (zoti Price po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve), do të jenë veprimet e qeverisë së re afgane”.
Në mënyrë të veçantë, tha ai, SHBA do t’i japë përparësi “kalimit të sigurt, respektimit të të drejtave të njerëzve në Afganistan, përfshirë gratë dhe vajzat dhe pakicat, një qeveri gjithëpërfshirëse, një qeveri që përmbush angazhimet e saj kundër terrorizmit, një qeveri që respekton normat universale ndërkombëtare”.
Në krijimin e një qeverie të re, talebanët përballen gjithashtu me sfida brenda kufijve të vendit, veçanërisht nga Fronti i Rezistencës Kombëtare, lëvizja e ringjallur kryengritëse, e udhëhequr nga djali i komandantit të famshëm muxhahedin Ahmed Shah Massoud.
Djali i tij i shkolluar në Britani është kthyer në Afganistan dhe, në një artikull opinion në Washington Post, u zotua të luftojë për “një shoqëri të hapur, një shoqëri ku vajzat mund të bëhen mjeke, shtypi ynë mund të raportojë lirisht, të rinjtë tanë mund të kërcejnë dhe të dëgjojnë muzikë ose të marrin pjesë në ndeshje futbolli në stadiumet që dikur — dhe ndoshta përsëri së shpejti — u përdornin nga talebanët për ekzekutime publike”.
Zyrtarët ushtarakë thanë se SHBA ende mund të luftojë terrorizmin në rajon, megjithëse “misioni ushtarak amerikan në Afganistan ka përfunduar”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
“Ne do të vazhdojmë të kemi kapacitetin të kryejmë sulme nga jashtë Afganistanit për të goditur terroristët në varësi të nevojave të sigurisë,” tha ai. “Kjo është ndryshe nga prania e një misioni të vazhdueshëm ushtarak në Afganistan”./ VOA
Top Channel