Trupat ruse nisën patrullimin e bastionit të fundit rebel në jugperëndim të Sirisë, vendlindja e revoltës popullore të vitit 2011.
Një marrëveshje e ndaloi ofensivën qeveritare, me qëllimin të shmangej një luftë e re urbane pas bombardimeve më të ashpra të forcave Divizionit të Katërt mbi qytetin e Deraas në vazhdën e një rrethimi 2 mujor. Ujdinë e ndërmjetësoi Moska, e cila për të garantuar qetësinë, nisi në zonë ushtarët e saj.
Trupat e Rusisë ngritën flamujt rus dhe sirianë në lagjen Balaad të Deraas, vendi ku u zhvillua protesta e parë paqësore kundër sundimit të Bashar al Assadit, e shtyp me dhunë duke nxitur pas kësaj kryengritjen që e çoi vendin në luftë civile.
Sipas marrëveshjes, rebelët lokalë nisën të dorëzojnë armët me garancinë me policia ushtarake ruse do të vazhdojë patrullimin e do të ruajë praninë e saj në pikat e kontrollit, në mënyrë që ti ndalojë hyrjen milicive të mbështetura nga Irani, duke shmangur kështu raprezaljet.
Disa banorë të zonës u zemëruan nga ky pakt. “Është e trishtë të shohësh flamurin e pushtuesit rus dhe atë të regjimit criminal të ngrihen në djepin e revolucionit, për të cilin vdiqën dhjetëra mijëra vetë”, tha një prej tyre, Abdallah Aba Zaid, i cili humbi gjatë luftës gruan dhe katër fëmijë pikërisht nga një sulm ajror rus.
Top Channel