Kuqezinjtë nisin përgatitjet për Hungarinë, edhe Bajrami nën urdhrat e Rejës

03/09/2021 23:33

Përfaqësuesja shqiptare ka zhvilluar seancën e parë stërvitore pas kthimit nga Polonia, ku mbrëmjen e djeshme pësoi një disfatë me shifrat 4-1, humbje kjo që “djeg” më shumë për rezultatin sesa për lojën në fushë.

Trajneri Edy Reja kishte në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve, teksa mori pjesë në këtë seancë edhe fantazisti Nedim Bajrami, i cili ka gjasa që të nisë nga minuta e parë takimin e radhës që do të luhet në “Elbasan Arena” ndaj Hungarisë.

Tekniku italian zhvilloi një seancë stërvitore të përqendruar në ushtrime te lehta fizike për shkak të lodhjes nga sfida ndaj Polonisë. Situata në radhët e kuqezinjve paraqitet e qetë, edhe pse sigurisht ajo disfatë e thellë ndaj Polonisë në Varashavë në shifrat 4-1 dhemb jo pak.

Skuadra do të kërkojë të rikthehet tek suksesi ndaj Hungarisë, megjithatë për këtë sfidë, teknikut Reja do t’i duhet të bëjë pa Hysaj, Manaj dhe Bare, të cilët për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve nuk do të jenë në dispozicion të italianit në “Elbasan Arena”.

Top Channel