“I dashur Mario i vogël…”, Mandzukiç “var këpucët në gozhdë” me një letër emocionuese

03/09/2021 23:57

Mario Mandzukiç “var këpucët në gozhdë”. Sulmuesi kroat që ka pasur një karrierë të lavdishme me klube si Bayern Munich, Atletico Madrid, Juventus e Milan, ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur pikërisht në moshën 35-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kroati nëpërmjet një letre mjaft interesante në rrjetet sociale, ku i drejtohet vetes së tij kur ka qenë i vogël dhe në mënyrë indirekte zbulon emocionet që ka përjetuar nëpërmjet sportit më popullor në botë.

Letra e Mandzukiç:
I dashur Mario i vogël. Kur të veshësh për herë të parë këto këpucë, as që nuk do ta kesh imagjinuar se çfarë do të provosh në botën e futbollit. Do të shënosh gol në kompeticionet më të rëndësishme, do të fitosh trofe madhorë, me klube shumë të mëdhenj. Do të prezantosh me krenari kombin tënd dhe do të kontribuosh për të shkruar historinë e sportit kroat.

Do të kesh sukses sepse do të kesh përreth teje njerëz të zotë: shokë skuadre, trajnerë, tifozë e familjarë, agjentë e miq që do të jenë gjithmonë aty për ty. Do t’ju jesh gjithmonë mirënjohës atyre.

Mbi të gjitha do të kesh sukses, sepse do të japësh gjithmonë maksimumin. Në fund, kjo është ajo për të cilën do të ndjehesh gjithmonë krenar. Do të sakrifikohesh gjithmonë, por do ta dish se ia vlejti gjithçka, për momentet e paharrueshme që përjetove.

Do ta kuptosh se kur është koha për të dalë në pension e vendosur këto këpucë në një dollap, dhje nuk do të pendoheni për këtë. Futbolli do të jetë gjithmonë pjesë e jetës tënde dhe do të presësh me padurim për një kapitull të ri. Argëtohu…

Nga Mario jot i madh…
Shënim: Nëse të ndodh të luash kundër Anglisë në Kupën e Botës, rri gati rreth minutës së 109’.

Mario Mandzukiç lindi dhe u formua si futbollist në Kroaci, teksa spikati me fanellën e Dinamos së Zagrebit, ku qëndroi në periudhën 2007-2010 dhe më pas u transferua në Bundesligën gjermane për të veshur fanellën e Wolfsburgut.

Më pas sulmuesi veshi fanellat e skuadrave si Bayern Munich, Atletico Madrid, Juventus, Al Duhail e së fundi Milan, ku në 6 muajt e parë të këtij viti nuk arriti të lërë gjurmë, për shkak edhe të një dëmtimi të pësuar.

Në karrierën me klube Mandzukic numëron 582 ndeshje të luajtura dhe 228 gola të shënuar, ndërsa me përfaqësuesen kroate ka luajtur 89 ndeshje dhe ka dërguar plot 33 herë topin në rrjetë.

Top Channel