Hakim Ziyech nuk po kalon një moment pozitiv. Marokeni nuk ka zbritur ende në fushë me Chelsea-n në ndeshjet e para të Premier League-s e si të mos mjaftonte kjo ish-sulmuesi i Ajaxit është përjashtuar nga përfaqësuesja marokene e futbollit, e drejtuar nga Vahid Halilhodzic, për dy ndeshjet e radhës me Sudanin dhe Guinenë, të dyja të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022”.

Arsyeja? Një “sjellje e papranueshme”, siç shpjegohet nga trajneri në konferencën për shtyp. Përplasja nisi në mes të qershorit, kur Ziyech refuzoi të hynte në lojë kundër Ganës. Pas sfidës së 4 ditëve më vonë kundër Burkina Fasos, ai nuk u thirr më në kombëtare.

“Sjellja e tij nuk ishte ajo e një lideri, e një lojtari që duhet të përfaqësojë një model – tha Halilhodzic – Hakim erdhi vonë, pastaj refuzoi të hynte në fushë. Skuadra kombëtare vjen e para.”

Sipas Halilhodzic, Ziyech pretendoi se ishte dëmtuar, për të mos luajtur në ndeshjen miqësore kundër Ganës, më 8 qershor. Ai ishte në stol dhe më pas refuzoi të hynte në fushë në pjesën e dytë, megjithatë aktivizimi i tij erdhi në minutën e 68-të.

“Për herë të parë në karrierën time si trajner kam qenë dëshmitar i një sjelljeje të tillë – vazhdoi Halilhodzic – Një lojtar që refuzon të luajë një ndeshje, edhe pse ishte vetëm një miqësore, duke pretenduar se ishte i dëmtuar. Nuk mund të sillesh kështu me ekipin kombëtar “.

Nuk është hera e parë që Ziyech bëhet çështje te Maroku. Në vitin 2017 ish -lojtari i Ajaxit u përjashtua nga Kupa e Afrikës nga trajneri i atëhershëm Hervé Renard për shkak të një sjelljeje aspak të hijshme gjatë stërvitjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA