Ekonomia afgane rrezikon të shembet pas tërheqjes së shpejtë dhe kaotike të Shteteve te Bashkuara dhe kthimit të taleëbanëve në pushtet, thuhet në një raport të Fitch Solutions.
Fitch pret që prodhimi i brendshëm bruto i vendit të tkurret me 9.7% këtë vit fiskal, dhe një rënie tjetër prej 5.2% pritet të shihet vitin e ardhshëm. Prognoza, përpara zhvillimeve dramatike të këtyre javëve, ishte që ekonomia afgane të rritej këtë vit me 0.4%.
Radhë të gjata u krijuan përpara bankave në vend, të cilat edhe dy javë pasi talebanët morën kontrollin, vazhduan të mbeteshin të mbyllura. Shumë familje nuk kanë para as për shpenzimet e përditshme, e disa nuk kanë marrë pagat. Burime nga Banka Qendrore e Afganistanit i thanë CNN se bankat praktikisht, nuk kishin më para kesh.
Sfida e madhe e talebanëve është se ekonomia afgane varet gjerësisht prej qasjes në monedhat e huaja dhe ndihmës ndërkombëtare, shumica e të cilës u bllokua pas rënies së Kabulit. Grantet financojnë 75% të shpenzimeve publike të Afganistanit, sipas Bankës Botërore. Sipas disa burimeve, bankat në të gjithë vendin u mbyllën nga frika e një vërshimi të klientëve të tyre, të cilët do të tërhiqnin të gjithë kursimet e veta.
Top Channel