Njeriut të rekordeve duket se i vjen gjithçka natyrshëm, edhe të shkruajë historinë, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanellën e një ekipi kombëtar. Natyrisht bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon. Dygolëshi ndaj Irlandës, ai që në 7 minuta, në të 89 e të 96’ i dha fitoren Portugalisë, e çoi në kuotën e 111 golave me kombëtaren, natyrisht një kënaqësi më shumë për futbollistin e sapotransferuar te Manchester United.

“Natyrisht që jam shumë i kënaqur që shënova dy gola, që na mundësuan fitoren. Jam shumë i nderuar për këtë rekord, është unik, vetëm imi. Të shënoj, të dhuroj spektakël, të fitoj tituj është gjëja që dashuroj më shumë. Është motivimi im, ai që më shtyn të vazhdoj të luaj futboll”.

Cristiano iu përgjigj edhe një pyetjeje për kthimin tek United, duke deklaruar:

“Me kontratën e fundit, që firmosa, pata nderin të kthehesha në shtëpi”.

Më pas, Ronaldo rrëfeu ndjesitë e tij edhe për 336 milionë ndjekësit e tij në Instagram, ku shkruan.

“Nga të gjitha rekordet që kam thyer në karrierën time, për fat më shumë se disa, ky për mua është me të vërtetë special, një nga ato arritje për të cilën ndihesh veçanërisht krenar. Para së gjithash, pasi është e veçantë për mua, të përfaqësoj vendin tim, pasi e di se po mbroj Portugalinë dhe t’i tregoj botës se prej çfarë brumi jemi gatuar ne, portugezët. Pastaj edhe për impaktin që kompeticionet e kombëtareve kanë patur për mua duke u rritur, kur shikoja idhujt e mi të sfidoheshin në Botërorë dhe Europianë me fanellën e vendeve të tyre.

Pastaj edhe sepse, shënimi 111 golave për Portugalinë do të thotë se kam jetuar 111 momente si këto në Algarve, momente uniteti dhe lumturie për miliona e miliona qytetarë portugezë në të gjithë botën. Janë ato momente që shpërblejnë çdo sakrificë timen. Një tjetër motiv, për të cilin jam veçanërisht krenar, është pasi Ali Daei e kishte ngritur stekën në një nivel të tillë, sa që mendoja se nuk do ta arrija kurrë.

Përgëzime atij për faktin që ka mbajtur këtë rekord kaq gjatë dhe pasi ka treguar kaq shumë respekt për mua sa herë që shënoja dhe i afroja kryesimit të tij të pabesueshëm. Falëndëroj Portugalinë, të gjithë shokët e mi dhe kundërshtarët që e kanë bërë këtë udhëtim të paharrueshëm. Do të vazhdojmë të takohemi për një kohë të gjatë në fushë. Nuk kam ndër mend ta mbyll llogarinë tani”.

Top Channel