Si është situata aktuale në Afganistan? Flet për “Breaking” ish-zyrtari: Kemi humbur punën, gratë nuk lejohen në rrugë, dyqanet e bankat janë mbyllur

01/09/2021 10:33

Ish zyrtari i parlamentit afgan, Hassan Poya ka qenë një lidhje direkte nga Afganistani, në emisionin ‘Breaking’, në ‘Top News’, për të folur mbi situatën aktuale atje.

Poya shprehet se situata është ende e paqartë, rrugët janë boshatisur, dyqanet janë mbyllur ndërsa gratë nuk lejohen të shëtisin më si më parë pa një leje.

Ai shton më tej se talebanët kanë ngritur postblloqet nëpër qytete dhe ndalojnë makina e qytetarë për t’i pyetur se ku do të shkojnë.

Poya thotë se bankat janë të mbyllura, ndërsa qytetarët nuk munden të tërheqin as para dhe as kursimet e tyre, ndërsa shumë njerëz kanë humbur punët e tyre dhe ka një mungesë të theksuar në ushqime.

Talebanët kanë emëruar edhe Ministrin e ri të Arsimit dhe është vendosur që vajzat dhe djemtë nuk do të lejohen në të njëjtën auditor. Mësueset e tyre do të jenë femra.

Poya është pjesë e komunitetit Hazara, që është grupi i tretë më i madh etnik i Afganistanit dhe si myslimanë shiitë, ata janë përballur prej kohësh me diskriminim dhe persekutim nga talebanët sunitë.

Poya: Kjo ka qenë një nga rrugët me më shumë popullsi siç e shihni është boshatisur, dyqanet janë mbyllur. Të gjitha aktivitetet e tjera janë mbyllur dhe gratë nuk shëtisin më si më parë, nuk janë më në rrugë. Për gratë dhe femrat nuk lejohet më që t lëvizin.

Situata është pak më mirë se ditët e para kur talebanët morën pushtetin dhe bllokuan të gjithë qytetin dhe njerëzit ishin shumë të frikësuar për shkak të situatave në të kaluarën. Në ndryshim nga ditët e para njerëzit kanë filluar të dalin pak edhe pse me frikë, ndërkohë që në ditët e para frika ishte shumë e madhe.

Situata është ende e paqartë, talebanët po flasin pozitivisht në media. Sic mund të shihni gratë janë të veshura me burka. Përsa i përket talebanëve ata po flasin pozitivisht në media por qytetarët nuk i besojnë.

Ata nuk lejojnë gratë që të ecin në mënyrë të lirshme në rrugë, ka herë pas herë kontrolle në rrugë, ndalojnë makina dhe pyesin qytetarët se ku do të shkojnë. Kanë ngritur postblloqe të ndryshme nëpër qytete. Kanë vendosur një ministër për arsimin, i cili ka qenë një nga krerët e talebanëve. Kanë marrë disa masa sidomos përsa i përket grave dhe vajzave të cilat nuk do të jenë së bashku me burrat nëpër klasa. Nuk do të lejojnë mësues meshkuj në klasat e vajzave, por do të jenë profesoresha.

Situata nuk është shumë e mirë pavarësisht premtimeve pozitive njerëzit nuk i besojnë. Ata po bëjnë disa gjeste që janë agresive. Vetëm një ditë më parë kanë bërë disa gjenocide duke ekzekutuar mbi 12 persona nga komiteti Hazara, gjithashtu vranë një muzikantë të njohur në një lokal, i cili ishte kritik ndaj talebanëve.

Të gjitha bankat publike janë të mbyllura, njerëzit nuk mund të tërheqin më para. Shumica e dyqaneve janë të mbyllura. Njerëzit kanë humbur punët e tyre, kanë humbur burimet kryesore financiare dhe për momentin kanë mungesë parash.

Unë jam në lagjen time , nuk shkojmë dot në punë, i kemi humbur dhe unë vet dhe familja po hasim vështirësi financiare dhe mund të kemi probleme për të mbijetuar dhe për tu ushqyer. Jemi një familje e madhe.

Ime motër ka qenë e punësuar në shtet por tani nuk i lejohet më të punojë.

FOTO GALERI
5/11

Top Channel