West Ham mbylli në kohë rekord bisedimet me CSKA-në e Moskës sa i takon Nikola Vlasic. Futbollisti, i cili kërkohej edhe nga klube të tjera, firmosi për 4 vjet me anglezët, të cilët, për të siguruar kartonin e tij, derdhën në arkat e klubit rus shumën e 30 milionë eurove. 23-vjeçari është përforcimi i shumëpritur i trajnerit Moyes për repartin e avancuar. Me fanellën e CSKA-së kroati shënoi 33 gola dhe dha 21 asiste në dy sezonet e fundit dhe u emërua Lojtari i Vitit i Premier League-s Ruse në vitin 2020.

Gjatë kësaj merkatoje vere është folur shumë për të ardhmen e Saul Niguez, për të cilin ishin në garë Chelsea dhe Barcelona, por në fund lojtari do të qëndrojë tek Atletico e Madridit. Konfirmimi për qëndrimin e lojtarit vjen nga presidenti Enrique Cerezo, i cili deklaroi se 26-vjeçari është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe se nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e futbollistit. Numri 1 i “Los Colchoneros” theksoi se për momentin mesfushori nuk do të largohet edhe pse në futboll asgjë nuk është e sigurt, por ai shtoi se Saul Niguez ndodhet në skuadrën e duhur dhe nuk do të largohet.

Dështon transferimi i Amad Diallo në kampionatin holandez. Futbollisti, i cili ishte shumë pranë kalimit në huazim te Feyenoordi, do të vazhdojë të qëndrojë te Manchester United, duke prishur kështu çdo plan të “Djajve të Kuq” për t’i gjetur një sistemim të ri ish-futbollistit të Atalantës. E gjithë marrëveshja mes Manchester United e Feyenoordit u prish për shkak të një dëmtimi të sulmuesit. 19-vjeçari u dëmtua gjatë një seance stërvitore dhe koha e rikuperimit është për 6 javë, çka solli dhe anulimin e kalimit të tij në Eredivisie.

Bordeaux arrin të sigurojë brenda afatit të mbylljes së merkatos një përforcim më shumë në mesin e fushës, duke siguruar kështu shërbimet e Jean Onana. Mesfushori kamerunas u transferua te “Girondins” nga kampionët në fuqi të Lille për shumën e 2 milionë eurove. 21-vjeçari firmosi për 5 vjet, deri më 30 qershor të 2026 me skuadrën e drejtuar nga trajneri Vladimir Petkovic, i cili e kërkoi me ngulm afrimin e futbollistit

Top Channel