Rezultate surprizuese, por edhe fitore bindëse të favoriteve në raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022 për zonën europiane.

Franca nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Bosnje-Hercegovinës në grupin D që gjithsesi kryesohet bindshëm nga gjelat. Golit të Edin Dzekos për ballkanasit iu kundërpërgjigj, Antoine Griezmann po në pjesën e parë.

Në fillimin e pjesës së dytë Franca mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Jules Kounde, karton që ndikoi në ecurinë e ndeshjes. Në sfidën tjetër të këtij grupi Ukraina regjistroi barazimin e 4-t rresht pasi u ndal nga Kazakistani. Përmbysje epike e Portugalisë në grupin A në shenjën e Cristiano Ronaldos, i cili pasi humbi një penallti në pjesën e parë shënoi dy herë me kokë në minutat e fundit në sfidën e Algarves ndaj Irlandës për t’u dhënë suksesin portugezëve me shifrat 2-1, me CR7 që u bë shënuesi më i mirë në histori në rang kombëtaresh me 111 gola, dy më shumë se iraniani Ali Daei.

Në sfidën tjetër të këtij grupi Luksemburgu mposhti 2-1 Azerbajxhanin e Gianni De Biasit, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve, 4 më pak se Portugalia krysuesese. Shumë i balancuar grupi G aty ku goli i Haaland nuk i mjaftoi Norvegjisë që barazoi 1-1 me Holandën në debutimin e tretë të Van Gaal te portokallinjtë.

Golin e barazimit për tulipanët e realizoi Davy Klaasen. Humbi mundësinë e shkëputjes në këtë grup Turqia që barazoi në fund 2-2 me Malin e Zi. Nē sfidat e tjera të eliminatoreve Rusia dhe Kroacia ndanë pikët, në një barazim pa gola, ashtu si edhe Sllovenia e Sllovakia në një barazim 1-1.

Top Channel