Orët e fundit të merkatos verore ishin intensive për shumë klube, veçanërisht për Barcelonën, që për befasinë e të gjithë mundi të çlirohej nga paga e lartë e Antoine Griezmann, duke e transferuar francezin tek Atletico e Madridit. Griezmann kalon te “Los Colchoneros” në formë huazimi për një vit, me opsion zgjatjen e huazimit edhe një vit tjetër dhe në fund me detyrim blerjeje për 50 milionë euro.

Për të mbushur boshllëkun e madhe të krijuar në fazën e avancuar, drejtuesit “blaugrana” arritën marrëveshjen me Sevillan për huazimin e Luuk de Jong. Sulmuesi holandez është një njohje e vjetër me trajnerin Koeman, me të cilin ka punuar në përfaqësuesen e “Tulipanëve”.

Në fakt, huazimi i Griezmannit tek Atletico erdhi në momentin e fundit, si zgjidhje emergjente, pasi Barcelona kishte kërkuar me ngulm transferimin e Saul Niguez, i cili u transferuar te Chelsea në formë huazimi për 5 milionë dhe me të drejtë blerjeje për 40 milionë euro, duke i lënë më gisht në gojë “blaugranat”.

Në këtë situatë marrëdhëniesh të tensionuara mes klubeve dhe me kalimin e Niguez në Londër, Barcelona huazoi tek Atletico Griezmannin, që i hapi vend transferimit të de Jongut të Sevillas në “Camp Nou” po në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Se cila skuadër ka bërë lëvizjen e zgjuar, kjo do të kuptohet përgjatë sezonit nga kontributi që do të japin lojtarët në skuadrat respektive.

Top Channel