Popullsia e Republikës së Irlandës është rreth 5.01 milionë, njoftoi të martën Zyra Qendrore e Statistikave në këtë vend.
Kjo është hera e parë që popullsia irlandeze kalon shifrën prej pesë milionësh qysh në vitin 1851. Atëbotë, popullsia përbëhej prej 5.11 milionë banorësh.
Shifra po ashtu paraqet rritje prej 2.19 milionësh krahasuar me regjistrimin e vitit 1961.
Zyra Qendrore e Statistikave tha se migrimi dhe rritja natyrore kanë sjellë rritje të popullsisë për 34,000 banorë në 12 muaj.
Eksperti i statistikave, James Hegarty, tha për transmetuesin irlandez RTE se statistikat e fundit pasqyrojnë disa nga ndikimet demografike dhe sociale të pandemisë COVID-19.
Ai tha se migrimi është një arsye përse popullsia është rritur.
Në vitin 2021, më shumë se 30,000 irlandezë janë kthyer për të jetuar në Irlandë, ndërsa 22,000 irlandezë kanë shkuar për të jetuar jashtë vendit.
“Kjo është vetëm hera e tretë që nga viti 2010 që më shumë irlandezë janë kthyer sesa janë larguar”, tha Hegarty.
Top Channel