Alexander Lacazette mund të largohet në orët e fundit të merkatos. Sulmuesi francez nuk është më titullar dhe për shumë arsye të tjera dëshiron një aventurë të re, ku mund të luajë nga minuta e parë.

Drejtuesit e kanë përcaktuar çmimin e kartonit 15 milionë euro për ta lënë të lirë dhe interes konkret për të kanë shfaqur Bayerni, Juventusi dhe Atl. Madridi. Në 172 ndeshje me “Topçinjtë”, 30-vjeçari ka shënuar 66 gola e ka dhënë 28 asiste dhe nuk përjashtohet që një skuadër tjetër e Premier League-s të bëjë ofertë për të.

Situata pozitive që po kalon Valencia dhe starti me dy fitore e një barazim në kampionat kanë ndryshuar edhe planet e merkatos. Goncalo Guedes i cili ishte pranë largimit dhe kishte oferta të rëndësishme, tani do të qëndrojë për të qenë protagonist në “Mestalla”. Trajneri Bordalas i ka dhënë një rol të rëndësishëm në skuadër dhe portugezi preferon të fitojë me Valencian, duke refuzuar ofertat nga Premier League dhe Bundesliga.

Wolverhampton mbylli merkaton me një goditje të gjashtë, që përforcon repartin e mesfushës. Klubi anglez mbylli marrëveshjen me Leipzigun për huazimin me të drejtë blerjeje të koreanojugorit, Hwang Hee-chan, i cili kishte kërkuar largimin nga klubi gjerman, pasi nuk luante rregullisht. Afrimi i fundit në merkato u prezantua para tifozëve përpara startit të ndeshjes me Manchester United dhe me ardhjen e tij mbyllet edhe merkatoja për klubin anglez.

Pas Xherdan Shaqirit, është radha e Divok Origit. Liverpooli po bën shitjet e fundit të lojtarëve që nuk janë në planet e Jurgen Kloppit dhe sulmuesi belg është i radhës që bën gati valixhet. Për 26-vjeçarin ka oferta nga disa klube italiane dhe spanjolle ndërsa çmimi që ka vendosur Liverpooli është 15 milionë euro. Gjithsesi, Origi ka edhe një vit kontratë të mbetur dhe drejtuesit anglezë mund të bëjnë lëshime për të mos rrezikuar që ta humbasin me paremetër zero në verën e 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA