Fuqia e përballueshme e natyrës/ Uji shkatërron autostradën, Uragani Ida i pafrenueshëm!

31/08/2021 14:39

Dy të vdekur e 10 të plagosur është bilanci i Uraganit në Mississipi të Shteteve të Bashkuara, ku vërshimi i ujërave ka shkatërruar pjesërisht një autostradë, duke mos i lënë njerëzve mundësi shpëtimi.

Autoritetet thanë se përmbytjet e befasishme, me shumë gjasë ishin pasojë e Uraganit Ida, që është përplasur me të gjithë forcën e tij mbi disa zona të vendit. Vërshimet e dhunshme shkaktuan një të çarë në rrugë, ku kanë rënë të paktën 7 makina.

“Kam 23 vjet punë, por nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, deklaroi polici rrugor, Cal Robertson. Tre prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

Uragani Ida goditi me erëra që mbërrinin shpejtësinë e 240 km/h zonën e Nju Orlinsit, pikërisht 16 vjet pas uraganit vdekjeprurës Katrina. Pemë të rrëzuara nga era e fortë kanë bllokuar rrugët, kanë dëmtuar linjat elektrike dhe kanë dëmtuar shtëpitë.

Mbi 1 milion vetë kanë mbetur atje pa energji elektrike. Ekipet e kompanisë energjetike po bëjnë vlerësimin e dëmeve në rrjet, por për momentin, ato duken “katastrofike”. Nisur dhe nga egërsia e madhe e kësaj stuhie, ekspertët thonë se ndryshimet e klimës po i  bëjnë uraganet më të rrezikshme.

Ato prodhojnë më shumë shi, kanë shtrirje më të madhe, erëra më të dhunshme dhe lëvizin më ngadalë kur prekin tokën. Ida, sipas shkencëtarëve është një shembull i parë i këtyre ndryshimeve, e stuhi të ngjashme me të do të bëhen gjithmonë e më të zakonta me ngrohjen e planetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA