E reja që hyri në ujërat termale të Yellowstone dënohet me shtatë ditë burg në SHBA (fotot)

31/08/2021 21:37

Një grua nga Connecticut nw SHBA, që hyri drejtpërdrejt brenda ujërave termale të parkut kombëtar amerikan të Yellowstone, u dënua me shtatë ditë burg, njoftonin prokurorët.

26 vjeçarja Madeline S. Casey, pranoi shkeljen e kategorisë së lehtë.

“Megjithse ndjekja penale e burgu duken si masa të ashpra, është më mirë se të shkosh në spital me të djegura”, tha prokurori Bob Murray.

Në korrik në parkun e gejzerit Norris, Casey dhe një tjetër person dolën nga korridori i mbrojtur për ecjen mes ujërave termale dhe hynë direkt në liqen, megjithse tabelat e shumta paralajmërojnë vizitorët të mos e bëjnë.

“Toka është e hollë dhe e dobët aty. Poshtë sipërfaqes ka ujë të përvëluar që mund të shkaktojë të djegura të rënda. Më shumë se 20 njerëz kanë  humbur jetën kur kanë hyrë ose kanë rënë në burimet e nxehta të Yellowstone,” tha zëdhënësi i parkut Morgan Warthin.

Gjykatësi urdhëroi gjithashtu Casey të paguajë një gjobë prej $2,040, ndërsa duhet të kryejë burgimin deri në 31 janar, 2022.

Në maj të vitit të kaluar një grua u dogj kur ra në burimet termale të Yellowstone, në kohën kur ato ishin të mbyllura prej pandemisë së koronavirusit.

Ajo u kishte thënë rojeve të impjantit se po ecte së prapthi kur papritur ra në gejzerin ‘Old Faithful’, një nga më të njohurit në botë.

Dy burra u kapën gjithashtu vitin e shkuar që kishin hyrë fshehurazi në një prej burimeve të mbyllura termale. Ata u dënuan nga 10 ditë burg secili dhe pesë vjet liri me kusht.

Duke u dhënë dënimin drejtuesja e rojeve të parkut  Sarah Davis, tha: “Vizitorët duhet të kuptojnë se ecja në ujërat termale është e rrezikshme, dëmton burimet dhe është ilegale, prandaj autoritetet e marrin gjithmonë seriozisht”.

FOTO GALERI
1/7
Një grua që hyri drejtpërdrejt brenda ujërave termale të parkut kombëtar amerikan të Yellowstone, u dënua me shtatë ditë burg

Top Channel