E reja irakene qëllohet për vdekje me thikë kur refuzoi të martohej me kushëririn (fotot)

31/08/2021 20:50

Nourzan Al-Shammari, një vajzë e re nga kryeqyteti iraken Bagdad, është vrarë brutalisht duke u qëlluar me thikë në rrugë nga tre burra, pasi sipas raportimeve kishte refuzuar martesën e rekomanduar nga familjarët, me kushëririn e saj.

Vrasja e Al-Shammari ka shkaktuar zemërim në të gjithë Irakun, pas publikimit të pamjeve të rënda të krimit në rrjetet sociale.

Teksa kthehej në shtëpi në këmbë nga puna, e reja u sulmua nga tre burra me thika në duar dhe me shalle në fytyrë, shkruan rrjeti Mirror .

Rrjeti vendas Alsumaria News shkruante se ajo u vra në të ashtuquajturat “vrasje nderi” për refuzimin e martesës.

Policia tha se pas ngjarjes ka arrestuar vëllanë e Nourzan për rolin e tij të dyshuar në vrasje, ndërsa në kërkim janë dy kushërinj të saj.

Rrjetet vendase thonin se kjo nuk ishte martesa e parë e detyruar për vajzën, ndërsa ishte martuar edhe një herë tjetër kundër dëshirës kur ishte fëmijë.

Pamjet e renda te vrasjes ishin publikuar nga autoritetet irakene.

Mediat thonin se fillimisht vajza e ndjerë ishte martuar nga familjarët kur ishte vetëm 13 vjeç. Familja e kishte divorcuar nga burri i parë teksa xhaxhai kishte tentuar ta martonte me djalin e tij.

Nourzan, e cila punonte në një dyqan ëmbëlsirash, ishte kërcënuar vazhdimisht për mospranimin e martesës.

Të afërmit thonin vajza ka qene vazhdimisht objekt u dhunes shtepiake ne shtepine e prinderve, dhe se kohët e fundit kishte postuar në rrjetet sociale duke thënë se nuk ndjehej e sigurtë.

Zëdhënsi i ministrisë së brendshme irakene Gjeneral Saad Maan tha se vëllai i Nourzan, ka pranuar vrasjen, duke u justifikuar për “probleme familjare”.

Emri i Nourzan po shpërndahet gjeresisht në Lindjen e Mesme me një ‘hashtag’ për të protestuar për dhunën kundër grave.

FOTO GALERI
1/5
Nourzan Al-Shammari është vrarë brutalisht duke u qëlluar me thikë në rrugë nga tre familjare te saj

Top Channel