UNHCR: Kriza humanitare në Afganistan sapo ka filluar

30/08/2021 14:25

Kriza humanitare në Afganistan sapo ka filluar, ka thënë Komisionari i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi.

Paralajmërimi vjen derisa mijëra njerëz po largohen nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin më 15 gusht dhe pritet të formojnë qeverinë e tyre.

Përmes një deklarate, Grandi përsëriti thirrjet që vendet të mbajnë kufijtë e hapur dhe të “ndajnë përgjegjësinë për këtë situatë humanitare”.

Irani dhe Pakistani tashmë strehojnë 2.2 milionë refugjatë afganë.

Javën e kaluar, Agjencia për Refugjatët e Kombeve të Bashkuara tha se deri në 500.000 afganë mund të largoheshin deri në fund të vitit.

Grandi e bëri këtë kërkesë një ditë pasi Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se fëmijët afganë janë “në rrezik më të madh se kurrë”.

“Ne e dimë se disa partnerë po konsiderojnë shkurtimin e ndihmës për Afganistanin. Kjo është shumë shqetësuese”, thuhet në deklaratë.

UNICEF-i ka vlerësuar se nëse vazhdon një situatë e tillë, një milion fëmijë nën 5 vjeç në Afganistan do të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë, e cila vë në rrezik jetën e tyre. Ndërkohë, mbi 4 milionë fëmijë, përfshirë 2.2 milionë vajza, kanë mbetur jashtë shkollave dhe rreth 300,000 fëmijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera po përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të evakuuar qytetarët afganë dhe shtetasit e tyre nga aeroporti i Kabulit, teksa afati i 31 gushtit për tërheqjen e trupave nga Afganistani po afrohet.

Disa shtete të NATO-s, përfshirë Francën, kanë njoftuar se kanë përfunduar misionet e evakuimit.

Evakuimet kanë vazhduar edhe pas një sulmi vetëvrasës pranë aeroportit të Kabulit, përgjegjësinë e të cilit e mori grupi Shteti Islamik. Nga ky sulm u vranë rreth 170 persona, përfshirë edhe 13 ushtarë amerikanë.

Në kundërpërgjigje të këtij sulmi, më 28 gusht, SHBA-ja tha se ka vrarë përmes një sulmi me dron në lindje të Afganistani, dy anëtarë të këtij grupi që besohet se kanë qenë të përfshirë në sulmin pranë aeroportit të Kabulit./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA