Transformohet sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Tiranë, Veliaj: Do vijojmë me këndet dhe parqet deri në Kashar, i japim të njëjtën vlerë aksit buzë Lanës

30/08/2021 14:05

Një tjetër shesh rekreativ për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit i shtohet qytetit të Tiranës. Dikur një baltovinë e zaptuar nga informalitete që krijonin një shëmti urbane, sot sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Njësinë 3 të kryeqytetit ofron një hapësirë prej rreth 1200 metër katrorë sipërfaqe të shfrytëzueshme për gjithë familjen, ku përfshihet sistemim rruge me trotuar, parkim, gjelbërim, ndriçim dhe argëtim me lodra për fëmijë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili së bashku me deputeten Klotilda Ferhati panë kurorëzimin e këtij projekti që ka transformuar gjithë zonën, u shpreh mjaft i kënaqur për rezultatin ku një rol të rëndësishëm ka patur dhe vetë komuniteti. “Sot jemi te këndi i 77-të në Tiranë. Ka qenë parim që çdo muaj në Bashkinë e Tiranës të kemi një kënd të ri lodrash. Kur mendoj se si filloi kjo punë me këndin e lodrave te liqeni, me president e me çudira, me politikanë me patllake e pistoleta, me polici, sherr e shamata, – shumë zhurmë për asgjë, – kupton që kur ne punojmë bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ne e ndajmë mendjen që do pengojmë njëri-tjetrin, se është Astiri, se është teatri, se është këndi i lodrave, se është Pazari, se është Kalaja, se është sheshi, se është Bulevardi, ne vetëm prishim punë. Kjo do të thotë që ne e paskemi në dorë vetë. Po të bashkëpunojmë, fitojmë të gjithë. Po të mos bashkëpunojmë thjesht pengojmë njëri-tjetrin dhe harrojmë që te rruga, ose te parku që po pengojmë do luajnë të gjithë fëmijët dhe më vjen mirë që ky komunitet e ka kuptuar këtë, pavarësisht bindjeve, që, kur vjen puna tek fëmijët, i kemi të njëjta,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë u ka bërë thirrje edhe komuniteteve të tjera që të bashkohen ë mënyrë që në Tiranë të krijohen edhe të tjera ambiente të tilla çlodhëse dhe argëtuese e jo vetëm, por edhe për të bërë edhe më atraktive zonat e tyre të banimit. “Mbi të gjitha është rritur vlera e pronës. Është ndryshe të vish të shesësh dhe të kërkosh me qera në një zonë e cila ka një park poshtë dhe ndryshe është, po i njëjti apartament, me po të njëjtat metra katrorë, por me një grumbull plehrash poshtë pallatit. Kështu që, edhe një njeri që ndoshta nuk i do këndet e lodrave dhe mund të jetë kundërshtari ynë politik, është bërë më i pasur thjesht duke ndenjur në shtëpi, ose duke na sharë në “Facebook”. INSTAT-i thotë që çdo vit është rritur vlera e pronës në Tiranë me 11%. Do të thotë që në këto 6 vite minimalisht 66% është rritur vlera e pronës së kujtdo vetëm prej faktit që pjesa poshtë pallateve sot ka një cilësi më të madhe. Ndaj ftesa për të gjithë qytetarët është: Zgjidhni administratorë, identifikojmë sheshe të tilla, fillojmë bëjmë akupunkturë,” tha ai.

Veliaj informoi se me të tilla parqe dhe sheshe do të vijojë puna në të gjithë gjatësinë e Lanës. “Do bëjmë të njëjtën gjë nga zgjatimi i Lanës në zonën e “Pallatit me Shigjeta” deri në Kashar. Kush e ka parë zgjatimin e Lanës nga Materniteti deri në Shkozë, pemët që mbollëm herën e fundit sa janë rritur, po të shohësh e gjithë pjesa e Lanës, ka marrë të njëjtën vlerë si pjesa buzë Lanës në Tiranën e vjetër. Për të gjithë ata që janë dyshues dhe mendojnë teori konspiracioni, të njëjtën gjë që bëmë këtu, nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, do ta bëjmë edhe në anën tjetër, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar, që e gjithë kjo kërbishte e qytetit, pra ky aks kryesor të ketë të njëjtën vlerë, nga fillimi në fund. Pastaj, kur rregullohet rruga, vjen një linjë më e madhe autobusësh, nuk vijnë vetëm ata të vegjlit, por vjen një fizarmonikë. Kur vjen transporti publik e ke më kollaj edhe për krahun e punës dhe për të gjithë ata që vijnë nga një lagje te një tjetër, apo përdorin një korsi të biçikletave ekspres në Lanë,” tha kryebashkiaku Veliaj.

Pjesë e sheshit rekreativ pranë rrugës “Endri Keko” janë 5 module lodrash për fëmijë, stola për pushim, 300 m2 sipërfaqe e gjelbëruar, 199 bimësi dekorative, 6 shtylla ndriçimi dhe 18 vende parkimi.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel