Real Madrid, sipas medieve në Francë, u ka thënë “stop” bisedimeve me PSG për blerjen e Kylian Mbappesë. Sipas “L’Equipe”, klubi parizien nuk ka pranuar as 200 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit e në këto kushte, përfaqësuesit e “Los Blancos” janë tërhequr nga bisedimet.

Kjo do të thotë se Reali tashmë shpreson që në fund të sezonit ta marrë me parametër zero, por nuk është e thënë që talenti francez do të transferohet detyrimisht në “Bernabeu”.

Përgjatë sezonit, drejtuesit e PSG-së do të bëjnë ç’është e mundur për ta bindur sulmuesit të pranojë rinovimin e kontratës, duke i besuar faktorit kohë dhe ecurisë së klubit.

Nëse PSG arrin të shkëlqejë në Champions, duke e ngritur për herë të parë në histori këtë trofe, dhe Mbappe rezulton element kyç për arritjet e skuadrës, krah Messit e Neymarit, atëherë do të krijoheshin kushtet e përshtatshme për ta vijuar karrierën në kryeqytetin francez.

Top Channel