Sulmi që një dron amerikan kreu një ditë më parë në Afganistan i mori jetën 10 pjesëtarëve të një familjeje, përfshirë 6 fëmijë.
Ngjarja ndodhi pranë aeroportit të Kabulit. Pranë shtëpisë së 10 afganmëve parkoi një makinë, që mesa duket ishte shenjestra e dronit. Ushtria amerikane deklaroi se objektivi ishte automjeti, në të cilën ndodhej të paktën një anëtar i ISIS.
“Kjo është e gabuar, ishte një sulm brutal, i cili ndodhi bazuar në informacione të gabuara”, tha Ramin Yousufi, familjar i viktimave, për BBC-në.
“Pse vranë familjen tonë. Fëmijët tanë?? Trupat e tyre janë djegur aq shumë, sa nuk mund t’i identifikojmë”, shtoi ai.
Emal Ahmadi, babai i një vajze 2 vjeçe që vdiq nga sulmi, tha se kishin aplikuar për t’u evakuuar nga Kabuli dhe po prisnin telefonatën, që më pas të shkonin në aeroport.
Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby u tha gazetarëve se ende nuk kanë verifikuar numrin e viktimave civilë, ndërkohë që po hetojnë për rastin.
“Asnjë ushtri në faqen e dheut nuk punon më shumë për të shmangur viktimat civile sesa ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe askush nuk dëshiron të shohë jetën e pafajshme të vdesin“, tha ai.
“Ne e marrim shumë, shumë seriozisht situatën dhe kur e dimë se kemi shkaktuar humbjen e jetës së pafajshme gjatë kryerjes së operacioneve tona, ne jemi transparentë për këtë gjë”.
Top Channel