Neuroshkenca zbulon ‘motorin e ndërgjegjies’ të fshehur në trurin e majmunëve (fotot)

30/08/2021 21:35

Një grup studiuesish thonë se kanë zbuluar “motorin e ndërgjegjies” në trurin e kafshëve — pjesa e organit që i bënë ato, ose të paktën majmunët, të zgjohen nga anestezia.

Ndërgjegjia apo ndërgjegjësimi i qenieve të gjalla është ende një mister. Ne nuk e dimë ende se përse krijesat janë edhe të zgjuara, edhe të fjetura, apo se cilat mekanizma të trurit janë më të rëndësishme për gjendjen e zgjuar.

Studimi i ri përdorte elektroda në trurin e majmunëve të zgjuar dhe të fjetur, si dhe ndaj majmunëve makakë nën efektin e formave të ndryshme të anestezisë.

Autorët zbuluan se kafshët përdornin dy rrugë kryesore për të arritur drejt gjendjes së zgjuar, ose të ndërgjegjshme.

Ata zbuluan gjithashtu se një zonë e caktuar e trurit ishte përgjegjëse që këto rrugë të aktivizoheshin, si të ishte një motor i veçantë që ndizte atë kryesor me anë të kabllove të specializuara të përçimit të energjisë.

Por kjo nuk do të thotë se ata zbuluan pikën kyçe të ndërgjegjies në trurin e kafshëve.

“Ka pak gjasa që ndërgjegjia të jetë vendosur në një rajon të veçantë të trurit”, shkruante  Michelle Redinbaugh, e Universitetit te Wisconsin-Madison, autore kryesore e studimit.

Studime të mëparshme kane treguar se të qenit i ndërgjegjshëm përfshin një aktivitet të përhapur në të gjithë globin e trurit, por studimi i fundit demonstron se talamusi qendror-lateral, luan një rol kyç.

Në kontekstin e këtij studimi kuptimi i “ndërgjegjies” i referohet pak a shumë të qenit zgjuar.

“Fjala ‘ndërgjegjie’ ka shumë përkufizime,” thotë Michael Graziano, neuroshkencëtar i Universitetit të Princeton. “Ndërgjegjia mund të merret në konsideratë nga ana klinike, pra e të qenit zgjuar, në gatishmëri dhe reagues ndaj stimujve. Në këtë sens njerëzit qe jane në gjumë, nuk janë të ndërgjegjshëm,  ashtu si dhe ata në gjendje kome”.

Nuk është ende e qartë se si apo pse, njerëzit kalojnë dhe kthehen shpesh mes këtyre dy gjendjeve, prandaj studimi është një punim elegant, thotë edhe studiuesja Sarah Heilbronner e Universitetit të Minnesota e papërfshirë në studim.

Heilbronner shton se studimi i majmunëve vjen pas një studim interesant mbi njerëzit.

Në gusht 2007, studiuesit e kolegjit Cornell Medical në New York publikuan studimin mbi një pacient që kishte qëndruar disa muaj në gjendje “minimale të ndërgjegjshme” pas një traume në tru.

Burri nuk ishte i ndërgjegjshëm për rrethinat e tij, prej asaj që shkencëtarët quanin “nën-aktivizim” të rrjeteve cerebrale. Prandaj ata futën elektroda në trurin e tij duke i stimuluar talmusin qendror të trurit. Kjo solli përmirësime të ndjeshme të ndërgjegjësimit të tij.

Edhe në studimin e majmunëve, Redinbaugh e koleget përdorën elektroda, por kur kafshet ishin në gjumë ose në anestezi. Shumica e majmunëve mbetën në gjumë, por dërgimi i stimujve me frekuenca të caktuara në talamusin qendror lateral, i zgjonte majmunët, edhe nga anestezia e thellë.

“Provat e akumuluara për zgjimin nga anestezia, janë impresive, pasi ne e dimë se këto janë mjetet e aktivizimit”, tha Heilbronner.

Në fjalë të tjera, ne nuk na zë gjumi për të njëjtat arsye si në rastin e humbjes së ndjenjave prej anestezisë, dhe gjithashtu, anestezi të ndryshme funksionojnë në forma të ndryshme.

Por format e ndryshme të anestezisë dhe të gjumit “duket se konvergojnë në këtë qark për të dhënë efektet e tyre të veçanta të ndërgjegjësimit”, shton Heilbronner.

Studiuesit ngushtuan kuptimin e tyre të ndërgjegjësimit në dy ingredientë kryesorë.

“Ndërgjegjia gjithmonë koinçidon me dy udhëkalime kryesore të aktivizuara,” tha Redinbaugh për rrjetin Live Science.

“Një prej këtyre qarqeve kalon informacionin ndjesor nga talamusi te korteksi cerebral”, që është rajoni i trurit për mendimin kompleks.

Si kjo rrugë dhe rruga tjetër e që përçon “reagimin për parashikimet, prioritetet e vëmendjes dhe objektivat në drejtim të kundërt” — duhet të jenë aktive për funksionimin e plote te ndërgjegjies”, tha Redinbaugh.

FOTO GALERI
1/3
Ata zbuluan gjithashtu se një zonë e caktuar e trurit ishte përgjegjëse që këto rrugë të aktivizoheshin, si të ishte një motor i veçantë që ndizte atë kryesor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA