Spektakël për një pikë, Chelsea merr një barazim heroik në “Anfield Road”

29/08/2021 00:57

Spektakël, gola, penallti dhe karton i kuq. Supersfida e javës në Premier Leaguen angleze, Liverpool-Chelsea pati gjithçka për të të mbajtur të mbërthyer para ekranit gjatë gjithë 90-minutave, ndërsa në fund të dy ekipet u kënaqën me nga një pikë falë barazimit 1-1.

Sfida nisi me mjaft vrull për të dyja skuadrat, por shkëndijën e parë e dhanë “the reds”, që kërcënuan me Elliot në minutën e pestë, por pa ia dalë të gjejnë golin. Një tjetër mundësi të mirë për vendasit e pati edhe kapiteni Henderson, por ndonëse i lirë para portës, gjuajti keq, duke dërguar sferën jashtë kuadratit.

Në minutën e 22-të do të vinte edhe goli që zhbllokoi ndeshjen, teksa pas një goditjeje nga këndi, të gjithë e kishin mendjen te Lukaku, por gjermani u shkëput në shtyllën e parë dhe me një gjuajtje të saktë me kokë, dërgoi topin në rrjetën e Alisson Becker. Liverpool reagon menjëherë, por e ka të vështirë të çajë mbrojtjen e mirë-vendosur të londinezëve, ndërsa në minutën e 43-të Jurgen Klopp largon nga fusha brazilianin Firminho, duke e zëvendësuar me portugezin Diogo Jota.

Vetëm dy minuta më vonë, pas një rrëmuje në zonë, vendasit provuan të dërgojnë topin në rrjetë, por Reece James ndërhyri mbi vijën fatale, duke larguar sferën, por edhe me ndihmën e dorës. Pasi rishikoi aksionin në VAR, arbitri akordoi penallti për vendasit dhe karton të kuq për mbrojtësin londinez, ndërsa nga pika e bardhë shkoi Mohamed Salah, që gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën.

Pjesa e dytë ishte një monolog i Liverpool, që me një lojtar më tepër luajti thuajse gjatë gjithë kohës përreth zonës së londinezëve, por gardiani francez Mendy ishte në një formë të shkëlqyer dhe priti të gjithë tentativat në drejtim të portës së tij.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi barazimin 1-1, me dy skuadrat që ndalën për herë të parë këtë sezon dhe marrin nga një pikë në një 90-minutësh spektakolar të zhvilluar në “Anfield Road”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA