Policia aksion në Lushnje dhe Mallakastër, arrestohen 8 persona. Ja për çfarë akuzohen

29/08/2021 11:34
Foto ilustruese

Policia e Lushnjes dhe e Mallakastrës ka vënë në pranga disa persona për vepra të ndryshme penale.

Raportohet se vetëm në Lushnje kanë rënë në pranga 6 shtetas, 3 prej të cilëve për kundërshtim me dhunë të punonjësit të Policisë, ndërsa në Mallakastër janë arrestuar dy qytetarë për veprën penale të ushtrimit të dhunës në familje.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, të shtetasve Sentiljan Sharka, 28 vjeç, Orjald Mema, 28 vjeç dhe Ergi Koriçi, 24 vjeç, banues në Qerret, Lushnjë.

Të tre këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen “Kongresi i Lushnjës” nuk i janë bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për shoqërimin e tyre në Komisariat dhe kanë kundërshtuar me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës punonjësit e Policisë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbatja pa leje e armëve të ftohta” shtetasi Dionis Ciko, 19 vjeç, banues në Divjakë, pasi duke udhëtuar me automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin Haris Hasanbegoviç, gjatë kontrollit në automjet është gjetur dhe sekuestruar një shufër hekuri me hapje të lëvizëshme, e ngjashme si ato të shkopit të gomës që mbajnë punonjësit e Policisë, e cili i përkiste shtetasit Dionis Ciko.

Gjithashtu u arrestua drejtuesi i automjetit, shtetasi Haris Hasanbegoviç, 33 vjeç, banues në Kosovë, pasi drejtonte automjetin pa leje drejtimi.

-Po nga këto struktura, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Angjelin Nokaj, 34 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se në datë 06.08.2021 ka vjedhur vegla pune të ndryshme në magazinën e shtetasit J. S., në fshatin Gorre, Lushnjë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan për veprën penale “Dhuna në familje” shtetasit Mitat Islamaj, 56 vjeç, Feta Islamaj, 48 vjeç, banues në Fratar, Mallakastër(vëllezër), pasi për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta ish-kunatin e tyre, shtetasin Sh. J., 59 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel