Orkestra Simfonike “Ibrahim Madhi” nën drejtimin e Gridi Kraja dhuroi një mbrëmje të veçantë për Vlorën dhe pushuesit.
Tenorët Josif Gjipali, Kastriot Tusha, soprano Renisa Laçka, violoncelisti Vlorent Xhafa, pianistja Ardita Bufaj dhe klarinetisti Sokol Toto ishin të ftuarit specialë.
“Është shumë emocionuese, është veçanti sepse kthehesh atje ku je rritur, në ato marrëdhëniet e rinisë apo fëmijërisë, dhe është një përgjegjësi pasi duhet t’u tregosh bashkëqytetarëve te tu që ti e meriton apo jo emrin që ke. Unë në Vlorë kthehem me shumë kënaqësi, por varet dhe si do të jenë propozimet”, thotë Josif Gjipali.
“Nuk është rastësi sepse unë gjyshen nënën e babait e kam nga Panajaja e Vlirës, kështu që ai gjaku ndikon pak edhe tek unë. Një mbrëmje e mrekullueshme, një publik i mrekullueshëm. U ndjeva jashtë mase mirë. Një publik i mrekullueshëm siç dinë vlonjatët ti presin artistët“, shprehet Kastriot Tusha.
“Në Vlorë është një kënaqësi shumë e veçantë për të qenë dhe kënduar këtu, jam realisht e bekuar që vij shpesh, publiku vlonjat është më i ngrohtë dhe më i afërt, ndoshta ngaqë jemi vlonjatë por shumë i dashur dhe shumë i gjallë”, thotë Renisa Laçka.
Mbrëmja e organizuar nga teatri Petro Marko me mbështetjene bashkisë Vlorë shënoi dhe daljen e parë publike të kryetarit pas shërimit nga kovidi
“Edhe pse i sapo dalë nga Covid në një mbrëmje si kjo nuk mund të mungoja. Kastriot Tusha është një nga ata njerëzit e mëdhenj që ka skalitur fort emrin e vet në muzikën shqiptare, por ky ‘mix’ personazhesh shumë të rëndësishëm solli këtë koncert. Për të bashkuar emocionin në një natë vlonjate, ku unë ndihem shumë krenar, që shkëlqen me të gjithë sharmin e vet të jashtëzakonshëm Josif Gjipali, qe është një nga veprat e gjalla që ky qytet ka krijuar për të transmetuar kulturë, art, zë dhe muzikë, jo vetëm në këtë skenë modeste të Vlorës por në skenat më të rëndësishme botërore”, tha Dritan Leli.
Mbrëmja koncertale u zhvillua në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari” dhe është një ndër aktivitet e mëdha të organizuara këtë sezon turistik.
Top Channel