Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë/ Rama: Duhet të jemi më të pranishëm në Prishtinë! Ballkani i Hapur na bën më të fortë në rajon

27/08/2021 20:14

Në vizionin e mandatit të tretë qeverisës kryeministri Edi Rama pritet t’i kushtojë vëmendje më të madhe marrëdhënies Shqipëri-Kosovë. Këtë e bëri të ditur vetë Rama ndërsa diskutonte me deputetë të rinj e të vjetër, në Pallatin e Brigadave.

Rama tha se deputetët shqiptarë duhet të jenë më shumë prezentë në Kuvendin e Kosovës, si dhe e kundërta, ndërsa nuk la pa cituar edhe mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur, nga figura politike në Kosovë.

Më tej Rama deklaroi se Ballkani i Hapur është një zgjidhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e vendit, pasi mund të përfitosh nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet.

Rama: Kemi të gjithë eksperiencën për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik. Një cilësi të re ne duhet të synojmë në marrëdhëniet tona parlamentare me Kuvendin e Kosovës. Duhet të jemi më të pranishëm në Prishtinë, si deputetë, për të diskutuar me kolegët deputetë atje, për të ndarë opinione dhe për të zhvilluar ide në interes të dy shteteve tona dhe do t’i ftojmë të jenë të pranishëm në ambientet e Kuvendit në Tiranë.

Nuk është sekret se në qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për Ballkanin e Hapur ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes, por Kosova është pjesë e pandashme e jona dhe e së ardhmes sonë të përbashkët. Ne do punojmë që të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore, duke u fokusuar në gjithë atë punë dhe drejtime që nuk ka sesi të mos na bashkojnë dhe duke trajtuar me durim mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur.

Ballkani i Hapur është një zgjedhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e këtij vendi, ku sa më shumë të ndërveprojmë, përfitojmë nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet, aq më shumë do të zhvillohemi dhe forcohemi dhe në funksion të perspektivës sonë europiane.

Do të punojmë në çdo sektor për t’i dhënë mundësi të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë, që vit pas viti të kenë hapësira shumë më të mëdha dhe pastaj jam i bindur që do kemi rezultate që do flasin vetë pse Ballkani i Hapur nga bën më të fortë si Shqipëri dhe si faktor qoftë në rajon dhe Europë.

Top Channel