“Faleminderit Shqipëri”/ Ardhja e 121 afganëve, Ambasada e SHBA: Vajtojmë ushtarët që humbën jetën në sulmin e Kabulit

27/08/2021 14:00

Fëmijë, të moshuar, burra e gra po luftojnë për jetën e tyre dhe luten çdo sekondë që të largohen sa më shpejt nga ‘ferri’ në Kabul.

Deri më tani numërohen të paktën 103 humbje jete, prej të cilëve 13 ushtarë amerikanë, nga sulmi i djeshëm.

Ambasada Amerikane në Tiranë njofton se sot vajtojnë amerikanët e ekipit të shërbimit që humbën jetën ndërsa përpiqeshin të shpëtonin jetë.

Ndërkaq, grupi i parë me 121 shtetas afganë mbërriti në orën 03:00 të mëngjesit në vendin tonë, ndërsa janë strehuar në një prej hoteleve në Golem të Durrësit. Për këtë ka reaguar edhe Ambasada Amerikane ndërsa shprehet mirënjohëse për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj.

“Jemi qenie njerëzore- shkruan ambasada’- që u shtrijmë dorën në ndihmë qenieve njerëzore si ne.

“Grupi i parë i qytetarëve afganë të cilët mbërritën mbrëmë në Tiranë, janë më shumë sesa njerëz të evakuuar. Ata janë jetë njerëzore të shpëtuara nga mundësia e pasojave tragjike. Ata janë gra, burra dhe fëmijë të cilëve u është ofruar diçka që ne e marrim të mirëqenë, një jetë. Mundësia për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme. Dhe për këtë, ne si Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Shtetet e Bashkuara, jemi mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj. Në kohë të tilla, ne nuk kemi kombësi, fe, ngjyra apo raca. Ne jemi qenie njerëzore që u shtrijmë dorën në ndihmë qenieve njerëzore si ne. Faleminderit Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Top Channel