Trageti nuk u nis në kohë/ Pasagjerët protestojnë duke bllokuar rrugën, nis hetimi ndaj tyre

26/08/2021 12:37

3 persona, të cilët një natë më parë bllokuan lëvizjen e mjeteve për disa minuta në lagjen numër 4 të Durrësit, janë vënë nën hetim nga policia.

50-vjeçari me iniciale A.M., 52-vjeçari me iniciale A.G. dhe 52-vjeçari me iniciale Xh.D. organizuan protestën, pasi u njoftuan se trageti me të cilin do të udhëtonin drejt Italisë u anulua.

Ndryshimi i lëvizjes së tragetit, ndodhi për shkak të një defekti, që çoi në nisjen me vonë nga Italia e për pasojë dhe rruga e kthimit u bë me vonesë.

Policia njofton se hetimi ka nisur edhe ndaj pronarëve të linjës së udhëtimit, pasi “nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit”.

Njoftimi i policisë:

Penguan qarkullimin e mjeteve duke organizuar protestë të paligjshme, procedohen penalisht 3 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit A. M., 50 vjeç, banues në Skrapar, A. G.,52 vjeç, banues në Divjakë dhe Xh. D., 52 vjeç, banues në Shijak.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, rreth orës 16:30, në lagjen nr.4, Durrës, pasi janë njoftuar se udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar, kanë organizuar protestë në mënyrë të paligjshme, me pasagjerët e linjës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në rrugë.

Nga strukturat e DVP Durrës vijojnë hetimet për pronarët e kësaj linje udhëtimi, pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit.

Top Channel