Furgoni del nga rruga dhe përfundon në greminë, vdesin 5 persona. Identifikohet shoferi që ndërroi jetë

26/08/2021 15:59

Një aksident i rëndë është shënuar këtë të enjte në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë.

Sipas informacioneve të siguruara mësohet se një furgon i  linjës Tiranë-Sarandë, që udhëtonte nga Saranda drejt Gjirokastrës është përplasur me një mjet tip “Land Rover”.

Mësohet se mjeti me pasagjerë me drejtues të identifikuar si Bardhi Porda ka dalë nga rruga në qafën e Muzinës duke përfunduar në greminë, nga rreth 20 metra lartësi.

Si pasojë e aksidentit të rëndë pesë personat që ndodheshin në mjet kanë humbur jetën.

Disa persona janë transportuar për në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa në vendngjarje po punohet për të nxjerrë persona të tjerë që janë të bllokuar në automjet.

Njoftimi i policisë:

Njoftohemi se rreth orës 15:30, në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P.

Si pasojë e përplasjes mjeti tip furgon ka dal nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.

Për pasojë kanë humbur jetën 5 shtetas, të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Lexo edhe këtu -> https://top-channel.tv/2021/08/26/aksidenti-tragjik-me-4-viktima-momenti-kur-e-plagosura-ne-aksidentin-tragjik-ne-qafe-muzine-dergohet-ne-spital/

Lexo edhe këtu -> https://top-channel.tv/2021/08/26/pamje-te-renda-aksidenti-tragjik-me-5-viktima-momenti-kur-zjarrfikesit-nxjerrin-trupat-e-pajete-nga-fugoni00/

Lexo edhe këtu-> https://top-channel.tv/2021/08/26/pamje-te-renda-furgoni-bie-20-metra-ne-gremine-5-te-vdekur-ka-ende-trupa-te-bllokuar-ne-m34jet/

Top Channel