Eliminatoret e Kupës së Botës, Katar 2022 janë shndërruar në telash për shumë klube të mëdha europiane, pasi një pjesë e mirë e yjeve të tyre, do të duhet të grumbullohen në shtete që janë klasifikuar si zonë e kuqe për shkak të koronavirusit dhe do të duhet të karantinohen kur të rikthehen në bazë.

Pikërisht për këtë arsye, klubet angleze e spanjolle kanë reaguar në grup, duke deklaruar se nuk do të lejojnë lojtarët e tyre, kryesisht ata amerikano-latinë, që t’u përgjigjen grumbullimeve me përfaqësueset, pasi për shkak të karantinimit rrezikojnë të humbin edhe dy ndeshjet pasardhëse në kampionatet respektive.

Kjo ka alarmuar jo pak FIFA-n, që ka reaguar nëpërmjet kreut të saj, Gianni Infantino, i cili ka bërë apel për solidaritet dhe u ka shkruar edhe autoriteteve shtetërore, për të marrë në konsideratë rastin të fjalë.

“Lejimi i futbollistëve t’u përgjigjen ftesave të përfaqësueseve në eliminatoret e radhës është çështje urgjente dhe me rëndësi të madhe. Nevojitet një gjest solidariteti për këtë. Anglia e Spanja ndajnë edhe përgjegjësinë për të mbrojtur integritetin sportiv në të gjithë botën, ndaj kam kontaktuar menjëherë me kryeministrin Boris Johnson, për të gjetur një zgjidhje. Kam sugjeruar të ndiqet e njëjta praktikë si në Europian, për të shmangur karantinimin”, deklaroi Infantino.

Top Channel