Anglia ka lënë pas zhgënjimin e disfatës në finalen e Kampionatit Europian dhe do të rikthehet sërish në fushë në fillim të muajit shtator për sfidat eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022.

Trajneri Gary Southgate ka publikuar pasditen e sotme listën e futbollistëve që do të grumbullojë për tre sfidat e muajit shtator, teksa bie në sy thirrja e sulmuesit kryesor të Leeds United, Patrcik Bamford, emri i të cilit nuk u mor në konsideratë për Kampionatin Europian.

“Jemi munduar të freskojmë disi grupin, por unë nuk jam fans i ndryshimeve të shumta. Gjithsesi White mungon për shkak të koronavirusit, ndërsa Chilwell nuk luan që prej finales së Ligës së Kampionëve. Po ashtu edhe Rashford e Phil Foden janë të dëmtuar, ndaj kemi qenë të detyruar të thërrasim disa emra të rinj. Bamford është një ndër ta, që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm te Leeds dhe tani ka një mundësi të artë për të treguar veten edhe në përfaqësuese”, deklaroi trajneri Southgate në konferencën e publikimit të listës.

Anglia bën pjesë në grupin i eliminator, bashkë me Shqipërinë dhe më 2 shtator do të përballet me Hungarinë në transfertë, më 5 shtator do të presë Andorrën e më 8 shtator do të udhëtojë drejt Varshavës për t’u ndeshur me Poloninë.

“Tre luanët” e kanë nisur fushatën me tre fitore në po kaq ndeshje dhe kryesojnë grupin me pikë të plota, teksa shihen si favoritët kryesorë për të prerë biletën direkt për në fazën finale të Kupës së Botës.

Top Channel