Shitje droge, falsifikim dokumentesh, vjedhje dhe plagosje me thikë/ Arrestohen 4 persona në Fier dhe Lushnje

25/08/2021 12:36

Katër persona janë vënë në prangat e policisë të Fierit dhe Lushnje për vepra të ndryshme penale. Dy prej tyre kanë qenë të shpallur në kërkim, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për falsifikim të dokumenteve.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kapën shtetasin A. Xh., 48 vjeç, banues në Dërmënas, Fier. 48-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Berat, me vendimin e datës 20.10.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Gjithashtu, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u kap dhe u ndalua shtetasi Xh. B., 52 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 15.01.2020, e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa një 29-vjecar është arrestuar në Lushnje pasi ka plagosur për motive të dobëta një 56 vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës kishte shkuar i plagosur me thikë një shtetas, menjëherë është organizuar puna dhe është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit N. S., 29 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas, në lagjen “18 Tetori”, ka plagosur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë), shtetasin L. K., 56 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Në pranga ka rënë dhe autori i një vjedhje në një banesë në Kolonjë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2013 dhe është ndaluar 43 vjeçari, banues në Berat, i cili ka vjedhur në banesën e shtetasit A. V., shumën 2.050.000 lekë të rinj dhe 2 televizorë.

“Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, pas një pune hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnjë, u bë e mundur zbardhja e vjedhjes në banesën e shtetasit A. V., në fshatin Kolonjë, në vitin 2013. Si rezultat i punës hetimore u ndalua autori i dyshuar, shtetasi M. Sh., 43 vjeç, banues në Berat, i cili ka vjedhur në banesën e shtetasit A. V., shumën 2.050.000 lekë të rinj dhe 2 televizorë.    

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Top Channel