Pas tentativës për arratisje të Çekajt dhe Pjetrit, “plas ahengu” tek burgu 313. Policët hapin USB-në me këngë dhe video humori të ‘Portokalli’

25/08/2021 14:51

Pas tentativës për arratisje të Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit, në burgun 313 duket se ka nisur ahengu me muzikë dhe video humori. Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije se dy ditë më parë, policia ka gjetur një USB në qelinë e Anton Gjokës, për të cilin kanë nisur hetimet.

Kjo USB u konstatua në një televizor, i cili në datë 21 gusht 2021 kishte dalë për rikontroll së bashku me disa televizorë të tjerë se ju mungonte vula. Policët nuk janë mjaftuar me kaq dhe kanë hapur USB-në, për të parë 223 materiale, nga të cilat 205 ishin muzikë kryesisht shqiptare dhe 17 pamje filmike të spektaklit të humorit “Portokalli”.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar deklaratën e punonjësit të policisë, Aldo Plaku me detyrë kontrollor, i cili ka thënë: “Më datë 23.08.2021, kam marrë shërbimin si zakonisht dhe rreth orës 07:30, cdo gjë ka vazhduar normalisht me kontrollin e ushqimeve që sjellin familjarët për të paraburgosurit. Rreth orës 14:50 kemmi pezulluar kontrollin e ushqimeve pasi duhet të kontrollonim disa pajisje elektronike televizora, të cilët kishin dalë jashtë në datë 21.08.2021 nga Forcat Operacionale të Drejtësisë së Përgjithshme të Burgjeve, televizore të cilëve u mungonin vulat e institucionit vula që me kalimin e kohës dhe vapës bien se me vinovil ngjitet ajo letra, pasi do i kontrollonim, do i vulosnim dhe do i fusnim përsëri brenda. Kështu filluam një nga një, gjithsej ishin 7 televizore.

Ky televizori që konstatuam USB mund të ketë qenë i dyti apo i treti në radhë, USB-ja ishte e dallueshme sepse nuk ishte e fshehur, dukej qartë në trupin e televizorit anësor, aty ku ka vendin e vet. Hoqa USB, përpiluam proces-verbalet përkatëse për USB-në, e hapëm dhe nga brenda televizorin se ndoshta mund të kishte sende të tjera të fshehura po nuk konstatuam gjë tjetër. Pasi mbaruam kontrollin, i kemi futur në regjim të brendshëm të gjithë televizorët.”

Ndërsa i paraburgosuri Anton Gjoka ka deklaruar se USB-ja i përkiste të paraburgosurit tjetër Viktor Marku, të cilit ia kishte marrë para 10 ditësh për të dëgjuar muzikë. Ndërsa televizorin ia kishte marrë Fatmir Haxhiut. “Televizori im është djegur dhe nuk kam mundësi ekonomike të blej televizor tjetër. Nuk e di që është send i ndaluar, ajo ka shërbyer vetëm për të dëgjuar muzikë, nuk kam gjë tjetër për të shtuar”, deklaroi Gjoka.

Ndërsa Viktor Marku pranoi se ia kishte dhënë USB-në Gjokës, duke shtuar se e ka marrë nga të paraburgosur të tjerë që janë liruar.

“Unë ja kam dhënë këtë USB, unë e kam marrë nga të paraburgosur të tjerë të cilët janë liruar sepse kështu funksionon në burg kur lirohesh nuk i merr sendet me vete, por i dhuron. Nuk e kam ditur që është send i ndaluar, kam menduar se duke pasur vetëm muzikë nuk ka ndonjë problem. Po ta kisha ditur, nuk do ta mbaja se vetëm probleme të tjera nuk dua”, tha Marku.

Top Channel