Ndërtim i paligjshëm, dhunë në familje dhe ngacmim seksual/ Arrestohen 6 persona në Tiranë për vepra të ndryshme penale

25/08/2021 13:16

Gjashtë persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për vepra të ndryshme penale.

Një 27-vjeçar i identifikuar me inicialet E.Q., i proceduar me parë për ndërtim të paligjshëm, u arrestua pasi është konstatuar serish duke kryer punime në një objekt, jashtë lejes së marrë. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë dhe dy punëtorët e tij.

Ndërsa 25 vjeçari i identifikuar me inicialet M.M, u vu në pranga pasi në rrugën “Mihal Grameno” për motive të dobëta ka goditur me një mjet prerës shtetasin F. B., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Ll., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin qarkullonte iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” “Ngacmim seksual” “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Dhunim i banesës” i shtetasit S. G., 47 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” pasi dyshohet se i ka ofruar para një shtetaseje të mitur në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Gjithashtu, ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy djemve të tij si dhe ka hyrë me forcë në banesën e një komshie të tij dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe ndaj saj. Gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një dorezë metalike.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

G.F(Gj) dhe E. H., 33 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel