Najada Çomo pritet të zëvendësohet nga Mimi Kodheli, dorëzoi mandatin e deputetes për të vijuar punën tek “Covid 1”

25/08/2021 15:35

Largimi i mjekes Najada Çomo nga lista e deputetëve socialistë për qarkun e Tiranës rikthen në parlament politikanen Mimi Kodheli.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare Najada Çomo ishte e dyta në listën e kandidatëve socialiste ndërsa vetë si deputete morri 1.583 vota. Edhe pse ishte mes kandidatëve me pak të votuar ajo sërish e mori mandatin e deputetes për shkak të rregullave në kodin zgjedhor dhe mekanizimit të herësit.

Por kryeministri Rama lajmëroi se mjekja Najada Çomo ka dhënë dorëheqjen në mënyrë që të rikthehet sërish në spitalin covid një ndërsa numri i të shtruarve në spital është duke u rritur.

Rama: Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë.

Sipas Kodit Zgjedhor, një deputete mund të zëvendësohet vetëm nga një kolege nëse jep dorëheqjen. Dhe sipas listës kandidatja më e votuar është Mimi Kodheli e cila ka marrë 5,597 vota.

Në zgjedhjet e fundit Kodheli dhe Majko ishin ndër emrat e njohur nga PS që nuk arritën ta kalojnë listën duke thyer herësin

Top Channel