Kërkoi shuma të mëdha parash që mos i prishte objektet pa leje, SHÇBA ndalon Nd/Specialistin e Policisë Kriminale

25/08/2021 18:15

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Tiranë ka bërë të mundur ndalimin e një inspektori 47-vjeçar, konkretisht Nd/Specialistin e Policisë Kriminale pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6, për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit Pasiv”.

SHÇBA bën me dije se ndalimi i Inspektorit L.V., 47 vjeç, u bë pas kallëzimit që bëri shtetasi E.B., në datë 25 gusht 2021.

“Mbështetur në faktet dhe provat e administruara gjatë hetimeve paraprake të zhvilluara, punonjësi i Policisë, L.V., gjatë një periudhe kohore të vazhdueshme, ka kryer veprime aktive, në shpërdorim të funksionit të tij organik, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare të paligjshme, në këmbim të premtimit për mosveprimin e strukturave policore për ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje”, njofton SHÇBA.

Sakaq vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin, sqarimin e pozitës së tij, si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga shtetasi i ndaluar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Top Channel