Investim i ri në Bovillë, Veliaj inspekton nisjen e fazës së dytë të punimeve: Shtojmë kapacitetin e furnizimit me ujë në Tiranë; Përfiton edhe Kamza

25/08/2021 13:36

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi nisjen e fazës së dytë të punimeve në impiantin e Bovillës si dhe ecurinë për shtimin e kapacitetit të depos së ujit.

Falë këtij investimi rritet sasia e ujit që përçohet në kryeqytet, oraret e furnizimit me ujë do të jenë më të zgjatura, si dhe cilësia e ujit do të jetë më e mirë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ky do të jetë investimi i fundit makro që po kryhet në Bovillë, që Tirana të ketë furnizim 100% me ujë.

“Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh, që jo vetëm 70% e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100% e Tiranës të furnizohet me ujë. Në këto 2 vite do të kemi një mega-kantier këtu, do të dyfishohet edhe filtrimi, pra sa ujë mund të futet në rrjet me cilësi, sigurisht edhe dyfishimin e depozitës. Në momentin që dyfishohet depozita do të kemi edhe një shtesë të presionit të ujit. Pas kësaj çlirohemi nga investimet makro dhe kalojmë në investimet kapilare, në çdo lagje”, sqaroi Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë, është se investimi i ri në Bovillë do shërbejë edhe për rritjen e kapacitetit të furnizimit me ujë të Kamzës.

“Më vjen mirë që një pjesë e furnizimeve do jetë edhe për gjithë qytetarët e Kamzës, do të shkojë për ta. Ujësjellësi i Kamzës nuk ka fuqi ekonomike të ujësjellësit të Tiranës, kështu që më vjen shumë mirë që ky është një investim nga i cili do përfitojnë edhe qytetarët e Kamzës. Ne po rritemi në një simbiozë ku në të dyja anët e Lumit të Tiranës, si Tirana dhe Kamza”, nënvizoi ai.

Veliaj falenderoi qytetarët për përgjegjshmërinë dhe që nuk po shpërdorojnë ujin e pijshëm. Teksa theksoi se në kohën kur Lulzim Basha ishte kryetar Bashkie, Tirana kishte vetëm 6-7 orë ujë.

“Po punohet jo vetëm për të kapur ritmin e asaj që iku, por edhe të mendojmë për një fqinj që është Bashkia e Kamzës që t’i japim edhe atyre më shumë furnizim me ujë”, u shpreh Veliaj.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Elton Kacidhja tha se afati për përfundimin e këtyre punimeve është 24 muaj, por nëse vijohet me ritëm, puna mund të mbarojë më shpejt.

“Shpresojmë që në një kohë të shpejtë ta kemi në funksion impiantin, ndërkohë Tirana të ketë mundësi që në të gjithë pjesët e saj të shkojë drejt 100% dhe të ketë ujë 24 orë”, tha Kacidhja.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA