Dje u raportuan 800 raste të reja me Covid-19/ Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat: Situata mund të kontrollohet

25/08/2021 10:53

Pavarësisht se një ditë më parë u raportuan 800 raste të reja me Covid-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mos ndryshojë masat duke theksuar se situata është nën kontroll.

Mira Rakacolli tha se duhet të respektohen me rigorozitet masat që janë në fuqi duke nisur nga përdorimi i maskës dhe distancimi social.

Rakacolli i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen pasi janë më të mbrojtur ndaj variantit të ri që po qarkullon. Ndër të tjera theksoi se numri i të infektuarve të pa vaksinuar është 32 herë më i lartë se i atyre të vaksinuar dhe format më të rënda të COVID kapin të pa vaksinuarit.

Rakacolli: Ka një rritje të rasteve të reja ditore, e reflektuar edhe në shtrimin e pacientëve në spitale. Arsyeja kryesore është varianti “Delta”. Vijon pandërprerë vaksinimi dhe padyshim ka bërë që situata të jetë e kontrolluar.

Kjo situatë epidemiologjike që është shoqëruar me një shtim të të shtruarve në spital. Tani duket dhe më e qartë që numri i të infektuarve në Shqipëri është i shtuar ndjeshëm. Ju sjell në vëmendje se numri i të infektuarve të pavaksinuar është 32 herë më shumë i të vaksinuarve. Nga ana tjetër, edhe ata që janë në forma të rënda dhe të shtruar në spitale, shumica janë të pavaksinuar. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i të shtruarve në spitale është ndjeshëm më i ulët. Vitin e kaluar kemi pasur të mbushur Covid 1 dhe mbi gjysmën e Covid 2. Kjo tregon që situata është më e kontrolluar dhe këtyre indikatorëve që i kemi analizuar sot i përgjigjet mirë niveli i masave që kemi në fuqi. Problem është zbatimi i tyre.

Situata mund të kontrollohet duke mbajtur të njëjtin nivel masash duke i zbatuar me rigorozitet.

Masat në fuqi janë si vijon:

– Maska është e detyrueshme në transportin publik dhe në çdo ambient të mbyllur, si dhe kudo ku nuk respektohet dot distanca, edhe në ambientet e jashtme.

– Kufizimi I qarkullimit të lëvizjes dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 24:00 – 06:00.

– Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika lejohet deri në orën 23:00.

– Grumbullimet në ambientet e jashtme lejohen deri në 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.

– Kampionatet sportive me prezencë të tifozëve, lejohen me kapacitete të reduktuara, deri në 30 %.

– Aktivitetet e teatrove shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave lejohen me kapacitet të reduktuar, deri në 30%.

Duke folur për situatën epidemiologjike, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publike tha: “Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 krahasur me një javë përpara. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur, nga 5573 në 5792 që çon në rritje të incidencës dy javore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara. Incidenca dy javore është 202 raste të reja për 100 mijë banorë e krahasuar kjo me me 38 raste të reja për 100 mijë banorë në dy javëshin pararendës. Përsa i përket pozitivitetit të mostrës ai mbetet në shifrën 7.8 %. Dua t’iu sjell në vëmendje se grupmoshat 35 vjeç deri në 64 vjeç kanë një rritje me një numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Përsa i përket bashkive të prekura mesatarisht ne kemi çdo javë 42 bashki. Ato me incidencën më të lartë janë Saranda, Himara, Malësi e Madhe, ndërsa për bashkitë e mëdha, Shkodra, Tirana dhe Vlora”, tha prof. Fico.

Prof. Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, theksoi efikasitetin e vaksinave anticovid.

“Fushata e vaksinimit ka vazhduar me ritme mjaft të mira. Aktualisht ne kemi një mbulesë vaksinale me të dyja dozat që po i afrohet 27%, që tregon se nje çerek milioni e popullatës është vaksinuar, pra e popullatës tonë me të dyja dozat. Ndërsa në drejtim të mbulesës me një dozë ajo po i afrohet 37%. Përsa i përket vaksinimit duhet të themi që rastet e vaksinuara që janë shfaqur në popullatë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Rastet e vaksinuara me një dozë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Kurse rastet e vaksinuara me dy doza janë 32 herë më pak se sa rastet e pavaksinuara. Kjo tregon nje efekt mjaf të rëndësishëm të programit të vaksinimit dhe një vlerë tepër të rëndësishme të tij”, tha Bino.

Duke folur për situatën në spitalin infektiv, Prof. Dhimitër Kraja tha se rreth gjysma e tyre janë mosha relativisht të reja.

“Të shtruarit në spitalin infektiv janë grupmosha të ndryshme. 50 % janë mosha relativisht të reja, rreth 25 % janë forma të mesme dhe më shumë madje 50 dhe 55 % janë mosha të rritura, mosha e tretë që quhet dhe 8 % mosha e katërt. Situata e tyre nga ana shëndetësore është e tillë që janë forma të lehta, serioze ose me ndonjë ndërlikim ose në subjekte që rëndojnë në mënyrë patologjike situatën shëndetësore të rasteve. 30 % janë forma të rënda dhe forma kritike, ose me forma të rrezikshme kërcënuese për jetën”, tha prof. Kraja.

Top Channel