DASH për afganët në Shqipëri: Është siguria në mes, nuk japim dot informacione!

25/08/2021 17:16

Ndonëse përgatitjet për mbërritjen e refugjatëve afganëve kanë nisur prej ditësh, asnjë prej tyre nuk ka shkelur deri tani në Shqipëri.

Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje për Deutche Welle tha se nuk mund të ofrojë informacione për kohën e mbërritjes, transportin, vendndodhjen lokale dhe destinacionin e mëtejshëm. Kjo gjë, sipas DASH, bëhet për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e afganëve që do të vijnë në vendin tonë.

Turma të mëdha njerëzish mbeten jashtë aeroportit duke shpresuar të largohen sepse kanë frikë nga hakmarrja e talibanëve pasi kanë punuar me forcat e huaja gjatë dy dekadave të fundit. Mijëra afganë të tjerë i druhen një rikthimi te sundimit të ashpër të talibanëve përmes interpretimit të ligjit islamik te Sheriatit. Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje me talebanët në shkurt të vitit 2020 për tërheqjen e trupave amerikane dhe të vendeve aleate perëndimore nga lufta gati 20 vjeçare.

Por Uashingtoni dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar kanë paralajmëruar që atëherë se ata nuk do të pranojnë asnjë qeveri të formuar me forcë në Kabul. I dërguari i posaçëm amerikan për paqen në Afganistan, Zalmay Khalilzad, në një intervistë për Zërin e Amerikës vetëm disa ditë para se talebanët të merrnin nën kontroll Kabulin, paralajmëroi se nëse talebanët e marrin vendin me forcë, ata nuk do të fitojnë njohjen ndërkombëtare dhe “do të bëhen një shtet izoluar. ”

Top Channel