Tragjedia në Ferizaj/ Flet babai i 18-vjeçares së vrarë nga bashkëshorti: Vajza ka qenë në presion dhe e frikësuar

24/08/2021 10:03

Vdekja e një 18-vjeçare nga Ferizaj tronditi mbarë opinionin publik ditën e djeshme.

E reja u la e shtrirë në tokë në dyert e spitalit, pa shenja jete! Ata që e dërguan atje ishin dy të rinj, të cilët policia i ka identifikuar si Arbër Sejdiu, i cili është kapur nga policia dhe Dardan Krivaqa që është ende në kërkim.

Ky i fundit sipas familjarëve është bashkëshorti i 18-vjeçares që humbi jetën, e identifikuar si Marigona Osmani, e cila ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve trupore.

Nuk dihen ende detaje në lidhje me ngjarjen, ndërsa në njoftimin e policisë theksohet se keqtrajtimi fizik i adoleshentes ka ndodhur për motive të dobëta, por pasojat ishin fatale.

Dardan Krivaqa është person i njohur për policinë e prokurorinë në Ferizaj. Krivaqa ka qenë i përfshirë edhe në vepra të ndryshme penale. Ai rezulton të jetë akuzuar për vepra penale “Vjedhje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor” “Kanosje”, “Lëndim i rëndë trupor”.

Ndërkaq, babi i viktimës ka folur për mediat kosovare dhe është shprehur se shumë vonë ka kuptuar që vajza e tij shoqërohej me një person që më herët është përfshirë në vepra kriminale.

Ai shton më tej se është tepër i tronditur nga ngjarja dhe se po pret që organet e rendit të zbardhin ngjarjen dhe të arrestojnë personin e dyshuar, i cili i mori jetën vajzës së tij!

Më tej, ai tregon se vajza e tij jetoi për dy muaj me bashkëshortin i dyshuar si vrasësi i saj, por siç thotë ai për mediat kosovare, vajza ka qenë nën presion dhe e frikësuar për ti treguar familjes për dhunën e ushtruar ndaj saj.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel