Si u vra biznesmeni në Lushnje/ Pamjet e plumbave dhe xhamave të thyer, autorët qëlluan me breshëri, djegin makinën pas krimit

24/08/2021 09:32

Këto janë pamjet nga vendi i ngjarjes së rëndë që u shënua mbrëmjen e djeshme, ku si pasojë e një atentati mbeti i vrarë shtetasi Bledar Muça.

Breshëri me plumba u qëlluan në drejtim të 34-vjeçarit, i cili humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën, mes tyre dy gra, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi në pedonalen e qytetit, ndërsa Bleda Muça ishte i ulur në tavolinën e një prej lokaleve të cilën ai administronte, ndërsa ishte nën shoqërinë e disa personave.

Autorët ende nuk janë kapur, por sipas dëshmitarëve në vendngjarje ata kanë qenë dy persona me maska dhe kanë gjuajtur nga dritarja e makinës tip ‘Golf’ pa targa me ngjyrë të bardhë.

Rreth 18 kilometra larg nga qyteti i Lushnjës, në fshatin Thanasaj të Lushnjës u gjet i djegur një automjet i cili dyshohet se ishte i autorëve.

Top Channel mësoi më herët se biznesmeni Muça, babai i dy fëmijëve, kishte për grua mbesën e shtetasit Roland Shyti, i cili njihet ndryshe edhe si “mustaqe kuqi” dhe anëtar i bandës hakmarrja për drejtësi, si dhe njëri nga të plagosurit, Judmir Velo 32-vjeç është nipi i Roland Shytit.

Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel