Shqiptarët po punojnë më pak në këtë vit pandemik 2021.

Kjo referuar shifrave të INSTAT-it, për 3 mujorin e parë të këtij viti. Rreth 60 % e popullsisë aktive nga 15-64 vjeç, janë të angazhuar në punë.

Pandemia e zgjatur që goditi fort tregun e punësimit është një nga arsyt kryesore, gjithashtu rënia e popullsisë dhe largimi nga vendi në mënyrë të vazhdueshme, I fuqisë sonë punëtore.

Qytetarët: “Jam emigrant. Kam 20 vjet që punoj në Greqi në sufllaqeri. Paguhem 1200 Euro në muaj, që bashkë me orët shtesë shkojnë 1500 euro, shumë mirë për një person. Këtu do të merrja 600 mijë lekë që nuk dalin. 200 mijë është qiraja, po uji, dritat, ushqimet? Këtu 15 mijë lekë është një bluzë, ndërsa dita e punës 12 mijë lekë. Doja të kthehesha, nuk e shajmë dot se e kemi vendin tonë, por unë e kam ndërtuar jetën dhe të ardhmen time në Greqi.”

“Na kanë lënë si ai uji që rri në vend. Por uji që lëviz pihet, ai që rri në vend, qelbet.”

“Unë njoh shumë njerëz që kanë patur punë para pandemisë, por tani nuk kanë dhe janë në kërkim.”

“Sipas mendimit tim një njeri që do të punojë e gjen punën, pavarësisht gjithçkaje, sëmundjeve, pandemisë etj. Edhe të rinjtë që ikin, bëjnë gabim shumë. Guri i rëndë, peshon në vend të vet.”

“Jo të gjithë të rinjtë do të bëhen doktorë, juristë, ekonomistë, por të mësojnë zanatet, elektriçistë, marangozë, muratorë, mekanikë.”

“E kanë gabim politikanët që thonë punë ka, por nuk ka profesionistë. Shqiptarët janë ndër punëtorët më të mëdhenj në Europë.”

“Shkak kryesor është pagesa e ulët. Po nuk u vlerësua njeriu për punën që bën dhe vlerat që ka ai nuk ka pse të punojë këtu, shkon në Gjermani e gjetkë. Këta djem e vajza të talentuar po na i merr bota. Ata po punojnë e begatojnë jashtë vendit. Nuk ka shqiptarë dembela.”

Top Channel