Bashkia Shijak po gjendet përballë një katastrofe mjedisore në këto ditë të nxehta gushti.

Prej javësh tashmë kazanët e plehrave janë të stërmbushur, ndërsa shumë prej tyre iu është vënë edhe flaka.

Përveç dekompozimit ato digjen duke ndotur ajrin dhe rrezikuar shëndetin e banorëve. Era e rëndë e tyre shoqëron të gjithë banorët nga hyrja e rrugës në Maminas deri në qendrën e qytetit. Në një rast flaka e vënë ndaj kazanit të mbeturinave kishte djegur edhe një pronë aty pranë.

Disa kazanë të tjerë plehrash ndodhen edhe pranë tezgave që tregojnë fruta, perime si dhe buzë vilave, të cilat me hapjen e derës përballen menjëherë me ajrin e ndotur nga plehrat.

Kjo situatë katastrofale ka ardhur pas prishjes së marrëveshjes me landfillin e Sharrës, ku Bashkia Shijak depozitonte falas mbetjet prej shumë kohësh. Në 17 gusht kompania ka njoftuar se depozitimi i plehrave duhet të bëhet kundrejt një pagese, të cilën Bashkia shprehet se nuk ka buxhet ta përballojë dhe ka bërë një kërkesë kundrejt prefektit të qarkut për zgjidhjen e situatës.

Prefekti i qarkut Durrës ka urdhëruar një studim fizibiliteti për depozitimin e mbetjeve në vendin me koston më të lirë. Kryetari Elton Arbana ka konfirmuar se alternativa më e mirë mbetet landfilli i Sharrës. Në këtë mënyrë pjesa e pagesës që nuk përballohet nga buxheti i Bashkive, do të subvencionohet nga shteti. Një marrëveshje pritet të nënshkruhet në ditët në vijim për të përmbyllur këtë katastrofë mjedisore. Landfilli mund të lejojë Bashkinë t’i depozitojë edhe për disa kohë falas mbetjet, ndërsa më pas do të bëhet me pagesë.

Top Channel