Reali i Madridit bën ofertën zyrtare për Kylian Mbappe. Me merkaton që është futur në javën e fundit, klubi spanjoll ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt transferimit të yllit francez, pasi ka trokitur në dyert e Paris Saint Germain me një ofertë prej 160 milionë eurosh, raporton programi sportiv El Chiringuito, që ka burime të forta brenda madrilenëve.

Pas blerjes së Lionel Messit, presidenti i PSG-së, sheiku Nasser Al Khelaifi deklaroi se Mbappe nuk do largohet këtë verë, por duket se dëshira e sulmuesit të talentuar ka qenë më e fortë se vullneti i klubit kryeqytetas.

Kylian Mbappe refuzoi disa oferta të PSG-së për rinovimin e kontratës që skadon verën e ardhshme dhe u bëri të qartë drejtuesve dëshirën për t’u transferuar në Madrid, pasi e sheh veten të eklipsuar nga yje si Messi e Neymar në “Parc des Princes”. Tani klubit të PSG-së nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të pranojë ofertën stratosferike të Realit të Madridit, për të mos e humbur sulmuesin me parametra zero një vit më vonë.

Paris Saint Germain pagoi rreth 180 milionë euro në verën e 2017-ës, për blerjen e Kylian Mbappe nga Monaco, ndërsa sulmuesi 22-vjeçar ka luajtur 174 ndeshje dhe ka shënuar 133 gola gjatë 4 sezoneve aktivizim në kryeqytetin francez.

Top Channel