Rama, Veliaj inspektojnë kantierin e rindërtimit tek “5 Maji”: Në fund të vitit fusim njerëzit në apartamente

24/08/2021 13:32

Lagja 5 Maji në Tiranë është shndërruar në një prej kantiereve më të mëdha ku do të marrë jetë një nga qendrat urbane, ekonomike e sociale më moderne në Shqipëri, me rreth 3500 apartamente për 11 mijë banorë, përfshirë parkimin, hapësira shërbimesh për çdo objekt banimi, 5 godina publike, 3 objekte arsimore, një shkollë profesionale, kisha, xhami, qendra franceze e edukimit të Teknologjisë Digjitale për rininë “ECOLE 42”.

Vepër e një prej arkitektëve më të njohur Stefano Boeri, kjo lagje do të mirëpresë në fund të këtij viti 300 familjet e para që humbën shtëpitë e tyre në tërmetin e 26 nëntorit 2019.

Për të parë nga afër zbatimin e projektit në terren ishte sot në kantier, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
“Tani kemi filluar me infrastrukturën. Kalojnë shpronësimet, javën tjetër hapet aksi rrugor. Do jetë i gjithë një rrethrrotullim i madh që lidh këtë rrugë me pingulen tjetër që do jetë deri te Bregu i Lumit, pastaj bashkohet me unazën e pestë me urë eventualisht,” – shpjegoi kryetari i Bashkisë Veliaj, i cili shtoi ndër të tjera se për familjet që do të strehohen në këtë lagje është i garantuar edhe parkimi.

“Një ndërtesë ka 75 apartamente dhe 75 vende parkimi. Kush do vijë do të ketë dhe vendin e parkimit, gjë që nuk e ka patur tek ndërtesat e vjetra parafabrikat,” – tha ai.

Pjesë e lagjes së re janë edhe ndërtesat e disa institucioneve publike, si dhe një kishë dhe një xhami. “Tek blloku tjetër janë ndërtesat publike, që nga godina e integruar e institucioneve të të ardhurave, dy shkolla, një kontribut i qeverisë greke, kemi dhe ndërtesën e IT-së që është kontribut i qeverisë italiane,” – u shpreh ministri për Rindërtimin Ahmetaj.

Nder të tjera, kryetari i Bashkisë Veliaj tha se “prioritet është strehimi i familjeve me shtëpi të dëmtuara nga tërmeti. Pjesa që pret zyrat dhe njësitë e tjera tregtare do të marrin kohën e tyre.”
Kryeministri Rama inspektoi edhe disa prej apartamenteve në ndërtim e sipër, të cilat sipas drejtuesit teknik të punimeve aktualisht janë në fazën e përfundimit të infrastrukturës elektrike dhe asaj hidraulike, për të vijuar në shtator me fasadën dhe gjithë infrastrukturën e jashtme.

Top Channel