Kryeministri Edi Rama edhe njëherë tjetër ka replikuar në distancë me ata të cilët nuk lanë gjë pa i numëruar, për pozicionin e mbajtur prej tij, ndaj Goran Bregovic i ftuar të dielën e shkuar në festën e birës në Korçë.

“Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiç fare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër!

Edi Rama nuk kursehet, ti vendosë këtyre komentuese edhe shenjën e barazimit me fashizmin kur u thotë.

“Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shëmbëlltyrë e urrejtjes!”.

Një komentuesi që i thotë Edi Ramës se Kosova i ka plagët e luftës ende të hapura kryeministri i i dha këtë përgjigje:

“Askush nuk të kërkon të harrosh asgjë, por e para mos ua bëj të tjerëve të këqijat që të kanë bërë ata ty, pra mos i thuaj shkja e mos e urre një muzikant vetëm pse flet gjuhën e tjetrit, siç bëjnë ata me ata që flasin gjuhën tonë dhe e dyta, Ballkani i Hapur është një rrugë me shumë për interesat tona, prandaj s’kemi cfarë presim po duhet të shtyjmë fort përpara për të mirën e krejt fëmijëve tanë”.

Komentuesi Mentor Hajdini i sugjeron Edi Ramës të ndalet e ta lërë me kaq çështjen Bregovic por mori këtë përgjigje.

“Sikur unë të isha nga ata që ndalen përpara histerisë së padijes, urrejtjes, shpifjeve e mallkimeve, nuk do të isha sot i privilegjuar nga shumica e shqiptarëve për të udhëhequr Shqipërinë për mandatin e tretë radhazi! Sa për fajin, faj është të urresh, të shash e të mallkosh duke ia bërë tjetrit të njëjtën gjë që të kanë bërë ty, vetëm pse flet një gjuhë tjetër”.

Top Channel