Ti Raporton/ Vatra e zjarrit në Fanin e Mirditës, banori: Prej një muaji kemi bërë apel për fikjen, por askush nuk interesohet

23/08/2021 17:33

Një vatër zjarri është aktivizuar në Fanin e Mirditës. Një banor është ankuar në “Ti Raporton” se prej gati një muaji kanë bërë apel për fikjen e zjarreve dhe askush nuk interesohet.

Në pamje duket se flakët janë aktive në malin e Munellës dhe Hebe të Domgjonit. Ndërkohë situata me zjarret në vend mbetet problematike. Në përditësimin e ditës së diel, Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se disa vatra zjarri janë të shpërndara në vend, në disa prej të cilave po haset vështirësi në shuarjen e flakëve.

Problematike paraqitej situata në qarkun e Kukësit ku kishte një vatër zjarri në Majën e Zezë, ku veç Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve është dashur edhe ndërhyrja e një helikpoteri.

Sipas informacioneve, vijonte vatra e zjarrit në fshatin Vorfë të Malësisë së Madhe, ku për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja ishte e vështirë nga toka, por situata po monitorohej.

Edhe në Bashkinë Puke rreth 50 trupa të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikës po punonin për fikjen e zjarrit në Qershizë, ku situata ishte nën kontroll.  Ndërsa në Bashkinë Fushë Arrëz ku aktualisht kishte një vatër zjarri në fshatin Flet, nuk kishte agravim të situatës pasi perimetri I zonës së djegur po monitorohej.

Vatra zjarri konstatohej edhe në fshatin Katund të Vjetër dhe Thirrë, bashkia Mirditë ku zjarri ishte izoluar në të dy zonat dhe nuk përbënte rrezik për banorët.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel